Kryetarët e komunave bojkotojnë takimin me qeverinë për masat e reja

Kryetarët e komunave nuk do të marrin pjesë në takimin e sotëm të ftuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Kjo është bërë e ditur nga Asociacioni i Komunave të Kosovës me anë të një komunikate për media, shkruan lajmi.net.

Arsye e bojkotit është se Asociacioni nuk është ftuar si trup në këtë takim, teksa MAPL ka ftuar vetëm kryetarët.

“Kryetarët vlerësojnë që pa AKK-në nuk duhet të marrim pjesë në këtë takim meqë nuk është hera e parë që niveli qëndror vepron në këtë mënyrë”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Në këtë takim pritej të diskutohej për situatën epidemiologjike në Kosovë si dhe masat e reja të mundshme.

Njoftimi i plotë nga AKK:

Asociacioni i Komunave të Kosovës (AKK) pas konsultimit me kryetar të komunave ka vendosur që të kërkojë nga Kryetarët e Komunave të MOS marrin pjesë në takimin e ftuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për ditën e sotme në nora 14.00 për të diskutuar për situatën epidemiologjike në Kosovë. Arsyeja është që AKK-ja si përfaqësues dhe trup i komunave nuk është ftuar në këtë takim. MAPL-ja ka ftuar vetëm kryetarët.

Mosftesa për Asociacionin e Komunave të Kosovës bëhet me qëllime përçarëse në mes AKK dhe kryetarëve.

Kryetarët e Komunave vlerësojnë se uniteti i kryetarëve është i domosdoshëm dhe që të gjithë kryetarët do të mbeten të bashkuar si pushtet lokal që të ruhet ajo që është ndërtuar për më shumë se dy dekada në përfaqësimin e denjë të qeverisjes lokale ndaj nivelit qendror.

Kryetarët vlerësojnë që pa AKK-në nuk duhet të marrim pjesë në këtë takim meqë nuk është hera e parë që niveli qëndror vepron në këtë mënyrë.

Asociacioni i Komunave të Kosovës është i Komunave dhe Ministritë duhet ta shohin atë si aleat e jo ta injorojnë. Nëse ministritë e injorojnë AKK-në, ma automatizim injorohen vetë kryetarët dhe Komunat e Kosovës.

Vlen të ceket që para një kohe AKK është larguar në mënyrë arbitrare nga komiteti anticovid si dhe ditë më parë Qeveria e Kosovës miratoi plotësim ndryshimet në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale pa konsultime me Kryetarët e Komunave.

I bëjmë thirrje MAPL, Ministrive dhe Qeverisë që të ndalojnë injorimin e AKK-se si pëfaqësues i kryetarëve dhe komunave në Republikën e Kosovës.