Kryetari i Komunës së Vushtrrisë jep detaje lidhur me rastin e infektuar në fshatin Studime

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri përmes një njoftimi në faqen zyrtare të komunës ka dhënë detaje për 73-vjeçaren e infektuar me koronavirus nga fshati Studime e Poshtme, transmeton Fokusi.info.

Ai ka njoftuar se lagja ku gjendet shtëpia e pacientes, rruga “Hashim Kolla” dhe rrugët përbri saj kanë futur në karantinë.

Postimi i plotë:

Qytetarë të dashur të Vushtrrisë,

Sonte është konfirmuar rasti i parë më Coronavirus Covid-19 në Komunën e Vushtrrisë. Pacientja ka qenë e njohur për Shtabin emergjent komunal dhe IRSHP Mitrovicë. Pacientja është kthyer me datë 14.03.2020, në Kosovë nga një vizitë tek të afërmit e saj në Norvegji. Nga data 19.03.2020, e njëjta është përcjellë çdo ditë nga IRSHP Mitrovicë dhe stafi i QKMF-së në Vushtrri. Pacientja dhe familja e saj kanë qenë në vet izolim, ndërsa nuk ka pasur simptoma të dyshimta për Covid-19. Po ashtu nga data 19.03.2020, janë gjurmuar kontaktet e pacientes dhe janë udhëzuar të vet izolohen. Pacientja sot është përcjellë nga ekipi i QKMF-së në Vushtrri për analiza në Klinikën Infektive ku ka rezultuar pozitiv me Coronavirus Covid-19. Ne besojmë që ky rast është izoluar dhe nuk ka vend për panik dhe shqetësim si dhe nuk paraqet rrezik për rrethin.

Shtabi komunal ka marrë vendim që të futet menjëherë në karantinë lagja ku gjendet shtëpia e pacientes, rruga “Hashim Kolla” dhe rrugët përbri saj. Po ashtu ekipet komunale bashkë me IRSHP po marrin masa për dezinfektim të asaj hapësirë.

Qyteti i Vushtrrisë i ka marrë të gjitha masat për parandalim të përhapjes së Coronavirus dhe ftojmë qytetarët që bashkë të mposhtim këtë armik të padukshëm. Prandaj, ftojmë qytetarët që të rrinë në shtëpi të mos kenë frikë, Zoti është me ne.

Me respekt,
Xhafer Tahiri
Kryetar i Komunës së Vushtrrisë