Kryetari i Naftëtarëve: Rritja e çmimit të derivateve të naftës po ndodh për shkak të reduktimit të prodhimit

Edhe çmimet e derivateve të naftës në vend janë rritur dukshëm muajin e fundit, në periudhën kur në Kosovë vijnë mërgimtarët për pushime.

Një litër dizel po shitet 1.5 euro në pikat e shitjes me pakicë në Kosovë, përderisa benzina 1.48 euro.

Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, rritja e çmimit të derivateve të naftës po ndodhë për shkak të reduktimit të prodhimit.

Ai në një prononcim për Front Online thotë se Kosova i ka çmimet më të lira, pas Maqedonisë Veriore.

“Pse janë çmimet në këtë kohë më të larta, ka reduktim të prodhimit. Kur kemi reduktim të prodhimit kërkesat janë të mëdha në tregjet ndërkombëtare dhe kemi rritje të çmimit. Qytetarët tanë janë duke u shërbyer me çmimet më të lira në regjion, përveç Maqedonisë Veriore e cila e ka akcizën më të ulët për 22 cent, ndërsa benzinën e kanë si ne”, u shpreh ai për Front Online.

Nga prilli, është shtrenjtuar edhe energjia elektrike për 15.4 për qind.

Edhe çmimet e konsumit në Kosovë janë ngritur.

Kështu thuhet në raportin e fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës që publikuan Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit

“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 2,4% në muajin Korrik 2023 krahasuar me muajin Korrik 2022”, thuhet në raportin e ASK-së.

Me rritje të çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, Kosova është përballur që nga fundi i vitit 2021, kryesisht për shkak të çrregullimeve në furnizime që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Hov, pastaj, u ka dhënë edhe pushtimi rus i Ukrainës, i cili ka nisur në fund të shkurtit, 2022.