Kryetari i Vitisë: KFOR’i amerikan na anuloi takimin për ndihma për shkak taksës

Një takim i paraparë të mbahet gjatë ditës së sotme në mes të kryetarit të Vitisë, Sokol Haliti dhe KFOR-it amerikan në Kosovë, është anuluar.

Kryetari Haliti ka treguar se takimi është anuluar për shkak të situatës aktuale në vend, duke përmendur tarifën ndaj Serbisë, e cila nga SHBA-ja po kërkohet me ngulm që të hiqet, dhe në anën tjetër tema qe ka përfshirë tërë globin, pandemia Covid-19.

“Kemi pasur takim, e kane thirr kabinetin dhe e kanë anulu, për shkak të situatës aktuale, tarifës dhe koronavirusit. Nuk dua të përzihem në politiken qendror, jam duke u marrë me këtë temë, le të merret niveli qëndron”, ka thënë Haliti për IndeksOnline.

Haliti ndonëse nuk donte të pranonte deklaratën se KFOR-i amerikan ka ndërprerë bashkëpunimin me ta, shkaku i tarifës, theksoi se botërisht dihet qëndrimi i SHBA-së ndaj kësaj çështjeje.

Mirëpo ai nuk ka precizuar, nëse KFOR-i amerikan ka vendosur qe t’i anuloj të gjitha donacionet për këtë komunë.

Ai tutje ka thënë se tani me tërë potencialin e tij është duke u merr me çështjen e koronavirusit, virus ky që ka prekur më së shumti këtë komunë.