Kryeziu i OVL-së paralajmëron për pasnesër: Çkado që do të ndodhë, përgjegjësia i bie Qeverisë

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së paralajmëron eskalim të situatës në ‘protestën gjithëpopullore’ të thirrur për të enjten para Kuvendit e Qeverisë.

Metush Kryeziu, anëtar i Kryesisë së OVL-UÇK-së tha në Frontal të T7 se për çkado që mund të ndodhë, “përgjegjësia i bie Qeverisë”.

“Sipas informatave që i kam, të gjitha degët janë duke punuar në terren. Ta shohim situatën. Mirëpo kjo përgjegjësi i bie Qeverisë çkado që do të ndodhë”, tha Kryeziu, i cili theksoi se “deri tash jemi përmbajtur”.

I pyetur se çka mund të ndodhë pasnesër, ai tha:

“Ta shohim. Në ato rrethana mund të eskalojë edhe situata sepse veteranët janë në gjendje të rëndë”.

Kryeziu tha se “këtu po shihet që është një mision kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, ndërsa tha se nuk mund ta parashikojë numrin e pjesëmarrësve në protestë.