Kryeziu: Lëvizja Vetëvendosje po i bën presion PZAP-së

Drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka reaguar në lidhje publikimin e emrave të gjykatësve nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për refuzimin e kërkesës së kësaj të fundit për numërimin e votave të ardhura nga diaspora.

VV-ja gjatë ditës së sotme kishte lëshuar një komunikatë për medie ku ka përmendur emrat e gjykatësve të cilët kanë shpërfillur vendimin e Gjykatës Supreme dhe të drejtën e votuesve nga jashtë.

Kryeziu përmes një postimi në Facebook ka thënë se VV-ja me publikimin e emrave të gjykatësve është duke ushtruar presion mbi PZAP-në.

Postimi i plotë i Kryeziut:

“PZAP është institucion i përbërë nga gjykatës, të cilët vendosin çështjet zgjedhore për të cilat ka mosmarrëveshje, e prej të cilëve pritet që të kemi ,,vendime të drejta’’ e jo ,,vendime të favorshme’’.

Prandaj, nga vendimet e PZAP-së mund të ketë humbës edhe fitues, e për pasojë jo të gjithë mund të jemi të kënaqur. Secili vendim i PZAP-së përmban dhe emrat e panelit gjyqësor, por ekspozimi i emrave të tyre në publik përmes komunikatave partiake, konsiderojë se janë formë e presionit që u bëhet këtyre penalistëve për të bërë punën e vetë në mënyrë të pavarur dhe me integritet.”