Ku është Nasim Haradinaj? Dilemat e organizatave të dala nga lufta e UÇK-së

Dje oficerët e EULEX-it kanë kryer bastistje në zyrat e OVL-UÇK-së, teksa e arrestuan kryetarin e kësaj organizate, Hysni Gucatin dhe nënkryetarin, Nasim Haradinaj.

Gucati është transferuar për në Gjykatën Speciale në Hagë, ndërsa Haradinaj dyshohet se ndodhet akoma në selinë e EULEX-it, në Fushë Kosovë, shkruan Indeksonline.

Në një prononcim për Indeksonline, Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve, Xhavit Jashari tha se besojnë që Nasim Haradinaj ndodhet në Kosovë.

Ai tha që s’kanë informacion lidhur me transferimin e tij në Hagë.

“S’kemi informacion që është transferu në Hagë, po besojmë qe ende është këtu, në EULEX në Kosovë”, tha shkurt Jashari.

Mbrëmë avokati i kësaj organizate, Tomë Gashi ka thënë se procesi i bastisjes ka zgjatur rreth 10 orë, ndërsa oficerët e EULEX-it morën me vete shtëpizat e kompjuterëve dhe modemin e pamjeve të incizimeve që janë bërë tri javë më herët.