Kumnova: Sido që të jetë fati i të pagjeturve, le të kthehen në vendlindjen e tyre

E lumtur dhe e gëzuar e ka pritur miratimin e deklaratës për të Zhdukurit në mes Kosovës dhe Serbisë, kryetarja e shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nesrete Kumnova.

Kumnova e cila në luftën e fundit në vend ka të zhdukur djalin e saj Albionin thotë për Front Online se shpreson që kjo çështje të mbyllet ashtu siç duhet.

Sipas saj, për familjarët që kanë persona të zhdukur pritja ka qenë mjaftë e gjatë.

“Shpresoj që kjo çështje do të mbyllet ashtu si duhet, sepse kjo është një e vërtetë dhe shpresojmë se sido që të jetë fati i tyre ata do të kthehen në vendlindjen e vet. Po shpresojmë mbase ky proces ka nis me një shpejtësi, po flas gjithmonë duke iu referuar takimeve dhe do të mbyllet çka do që ka ndodhë të mbyllet kjo çështje njëherë e përgjithmonë”, ka thënë Kumnova për Front Online.

E, pas miratimit të kësaj deklarate në Kosovë ka pasur pakënaqësi duke thënë se kryeministrit Kurti me këtë deklaratë ia hoqi Serbisë çdo përgjegjësi juridike si shtet për mijëra kosovarë të zhdukur.

Por, Kumnova për këtë ka thënë se beson se kryeministri Kurti nuk gabon.

“Kryeministri Kurti e din çka kërkon dhe nuk besoj që gabon diçka, por po presim të fillojnë bisedimet, por ka edhe këtu shumë njerëz që ndoshta nuk dëshirojnë me i dëgjua fjalët e mira, por ne jemi gëzuar për çështjen tonë më thellë politikisht nuk po hy për shkak se nuk e njoh politikën mirë”, ka deklaruar Kumnova.

Në Kosovë më 27 prill shënohet Dita Kombëtare e të Zhdukurve nga lufta e fundit 1998/99.

Sipas të dhënave zyrtare, 1.617 persona konsiderohen të zhdukur me forcë që nga lufta e fundit në Kosovë.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800.000, ndërsa janë zhdukur rreth 6.000.

Deklarata e plotë për personat e zhdukur:

Duke theksuar rëndësinë e zgjidhjes së fatit të personave që vazhdojnë të mbeten të zhdukur dhe për të nxitur pajtim dhe paqe të qëndrueshme,

Duke pasur parasysh se kjo Deklaratë ndjek mirëkuptimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (KNKK) për Personat e Zhdukur, që përfshin personat e zhdukur me forcë,

Duke kujtuar se të gjitha kategoritë e personave të zhdukur, do të trajtohen me prioritet të barabartë,

Duke njohur punën e rëndësishme të bërë përmes Grupit Punues për Personat e Zhdukur, i kryesuar nga KNKK,

Duke inkurajuar bashkëpunimin me aktorë të tjerë relevantë në fushën e personave të zhdukur, në veçanti me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP),

Duke e njohur çështjen e personave të zhdukur si çështje humanitare,

Duke vënë në dukje nevojën urgjente për përpjekje shtesë për të lehtësuar vuajtjet e familjeve,

Ne angazhohemi bashkërisht,

Për të siguruar zbatimin e plotë të angazhimeve përkatëse në fushën e personave të zhdukur,

Për të bashkëpunuar ngushtë për identifikimin e vendeve të varrimit dhe për të pasuar më pas me gërmime,

Për të siguruar qasjen e plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që ndihmojnë të gjenden dhe identifikohen personat e zhdukur brenda periudhës kohore 1 janar 1998 – 31 dhjetor 2000. Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër – përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar – nën posedimin e institucioneve të të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst,

Për t’i vënë në dispozicion të gjitha dokumentet vendore dhe ndërkombëtare me rëndësi për përcaktimin e fatit të personave të zhdukur, për të përdorur të dhënat satelitore, LIDAR dhe teknologji tjera, në zbulimin e varreve masive,

Për të mundësuar dhe inkurajuar angazhimin aktiv të familjeve të personave të zhdukur në procesin e identifikimit të fateve të tyre,

Për të siguruar në mënyrë adekuate të drejtat dhe për të adresuar nevojat e familjeve të personave të zhdukur,

Për të krijuar dhe punuar së bashku përmes një Komisioni të Përbashkët, të kryesuar nga Bashkimi Evropian dhe të vëzhguar nga KNKK, me qëllim të mbështetjes së përpjekjeve për të zgjidhur fatin e personave që mbeten të zhdukur,

Për të monitoruar dhe mbështetur punën dhe progresin e bërë nga Grupi Punues për Personat e Zhdukur përmes Komisionit të Përbashkët.

Detajet operacionale do të dakordohen në rundin e ardhshëm të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve.