Kur do të hidhet në votim liberalizimi i vizave për Kosovën? – MPJ ka një përgjigje!

Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla në intervistë për “Rubikon” në Klan Kosova ka folur për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Gërvalla u shprehë se nuk pret se çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën të hidhet në mekanizmat evropian para pranverës së vitit të ardhshëm.

Arsyeja se pse deri në pranverë, sipas Gërvallës, është për shkak se Franca ka zgjedhjet e saja dhe ajo ka një rol skeptik në këtë çështje.

”Çështja e liberalizimit të vizave është shtruar, dhe ka një unitet mes shteteve anëtare të BE-së me shumë pak përjashtime që Kosova më në fund jo vetëm që i ka përmbushur por i ka stërmbushur, ato kriteret të cilat duhet përmbushur për të marrë liberalizimin e vizave. Fatkeqësisht një gjë e tillë deri tani nuk ka ndodhur. Janë vendime individuale të shteteve anëtare. Ne duhet të bëjmë atë çfarë ne mund të bëjmë. Që ne kemi bërë progres të dukshëm në plotësimin e kritereve të parapara”.

”Ne do të lusim shtetet anëtare që në fund të gjendet një moment të vihet në votim me qëllim që të shohim se ku jemi dhe cilat shtete i kemi ende skeptike, por kjo është një çështje që për shkak të zgjedhjeve në vende të ndryshme. Gjermania sapo kreu zgjedhjet e veta, Franca ka zgjedhjet e veta në pranverën e vitit të ardhshëm, dhe unë do dëshiroja shumë por nuk besoj që para zgjedhjeve në Francë, të vihet në votim çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën në kuadër të mekanizmave europiane”.

”Mund të kemi surprizë dhe mund ta kemi shumë më herët votimin, por s’do mund t’më habiste fakti që nëse deri në pranverën e vitit të ardhshëm nuk kemi një votim të tillë”, u shprehë ministrja Gërvalla.