Kurti dhe Osmani tentuan të mbajnë fshehur propozimin franko-gjerman, i nxorën zbuluar Escobar dhe Lajçak

Emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak, ka konfirmuar se ka folur për propozimin franko-gjerman me kryeministrin Albin Kurti, në takimin që patën këtë të shtunë në Kryeministri.

Pas të dërguarit speciale të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili e tha hapur se ekziston propozimi franko-gjerman, këtë në Prishtinë e konfirmoi edhe emisari i BE-së, Miroslav Lajçak.

Këto deklarime të Escobarit dhe Lajçakut për draftin franko-gjerman për marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi e nxjerrin kryeministrit Kurti dhe qeverinë në përgjithësi si totalisht joserioze pasi që e kanë mohuar në vazhdimësi se ekziston një propozim i tillë. As presidentja Osmani nuk ka folur për draftin në fjalë, mirëpo është ndalur tek qarkullimi i një drafti lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Këtë Osmani e quajti dy ditë më parë si “fake news”, mirëpo, sikurse edhe Kurti edhe ajo e mbajti të fshehur faktin se tashmë ekziston propozimi i dy shteteve më të fuqishme të BE-së, shkruan Demokracia.com.

Duke folur në Prishtinë sot, Lajçak nuk ka dhënë detaje për propozimin në fjalë, duke thënë se diskutimet mbi këtë temë do ta dëmtonin procesin e bisedimeve.

“Sigurisht që e kemi diskutuar”, tha Lajçak kur u pyet nga gazetarët për këtë propozim. “Kjo edhe është arsyeja pse jam këtu në baza javore. Por, shpresoj që ta kuptoni se nuk do të ndihmojë procesin nëse jap detaje, janë çështje të ndjeshme. Ne kishim diskutime shumë serioze, të mira dhe konstruktive. Këto janë çështje të ndjeshme dhe unë jam në kontakt të përjavshëm me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq”, përfundoi ai.

Gjithashtu, ai nuk dha edhe shumë detaje të takimit, përveçse tha se ka progres në këto bisedime që po i zhvillon shpesh së fundi.

“Takimi me kryeministrin Kurti ishte shumë konstruktiv dhe shumë i dobishëm dhe ne jemi duke bërë progres në bisedimet tona. Kjo ndoshta ajo çka mund të them”.