Kurti distancohet nga rritja e pagës: Ne nuk garuam me sloganin ‘rritje page dhe drejtësi’, por ‘punësim dhe drejtësi’

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është distancuar nga çështja e rritjes së pagës minimale, ndonëse është një nga premtimet e tij në planprogramin qeversisës, që paga minimale të bëhet 250 euro.

Kurti, përgjatë seancës në Kuvend që po mbahet të martën, duke lavdëruar rritjen e pretenduar ekonomike, ka thënë se paga nuk mund ta ndjekë automatikisht trendin e rritjes ekonomike, shkruan lajmi.net.

“Ajo çka dua të tërheq vërejtjen është, ndonëse pagat në Kosovë duhet të rriten, ato nuk mund ta ndjekin automatikisht rritjen ekonomike. Pagat e ndjekin rritjen e produktivitetit brenda rritjes ekonomike. Në kushtet kur papunësia është shumë e lartë, nuk mund ta ndjekim rritjen ekonomike rritja e pagave. Mos të harrojmë para më shumë se 1 viti, lista jonë fituese nuk ka garuar me slloganin rritje e pagave dhe drejtësi, por punësim dhe drejtësi. Edhe njëherë, mos më keqkuptoni, pagat duhet të rriten, por nuk mund ta ndjekin automatikisht rritjen ekonomike”, ka deklaruar ai.

Më tej, ai ka folur edhe për çështjen e Ukrainës, ku ka thënë se Republika e Kosovës i bashkërendon qëndrimet me ato të SHBA-së, BE-së dhe NATO-s.