“Kurti e ka parë draftin e Ramës”

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, tha se drafti i Asociacionit të Komunave me Shumicë serbe që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e shpërndau nëpër kancelaritë evropiane është drafti që i dërguari i ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, e ka lënë në zyrën e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Sipas tij, përfshirja e Ramës bëhet në kontekstin makro, për të treguar rolin e shtetit shqiptar, transmeton Paparaci.

“Drafti për të cilin Escobar tha se Kurti e ka në zyrë dhe nuk e kuptojmë pse nuk e bën publik. Është pikërisht ai draft të cilin kryeministri shqiptar Edi Rama e dorëzoi në kancelaritë evropianë. Përfshirja e Ramës dhe qeverisë shqiptare ka një kontekst makro, Edi Rama po luan rolin e shtetit shqiptar. Ky draft statut do ketë impakt pozitiv në Kosovës lindore, në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi”, tha ai për Euronews Albania.

“Do jetë një platformë e re politike ku kryetarët që janë në komunat përkatëse shqiptare mund të komunikojnë të bashkëveprojnë, mund të jetë një platformë e re e ndryshimeve politike që të gjithë kemi punuar dhe ëndërruar për një koncept më të gjerë shqiptar në Ballkanin perëndimor”, shtoi Shala.