Kurti: Evropa është kontinenti ynë, duam një Kosovë evropiane

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këtë vit do të planifikojnë që të aplikojnë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kurti theksoi se mbështesin anëtarësimin e Ukrainës në BE, njofton Klankosova.tv.

“Ne kemi aplikuar tashmë për Këshillin e Evropës, sivjet planifikojmë që të aplikojmë për statusin e vendit kandidat, për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ne jemi për edhe për anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian, natyrisht që Ukraina është në zemrat e të gjithëve që dëshirojnë paqe dhe demokraci, për shkak se atje po zhvillohet një luftë e tmerrshme, agresion ushtarak e absurd i Rusisë”, theksoi Kurti.

I pari i vendit potencoi se edhe Ukraina dhe Ballkani Perëndimor duhet të jenë në BE.

“Por unë besoj se duhet të jenë të dyja, edhe Ukraina dhe Ballkani Perëndimor, do të dëshironim të shkojë gjithçka më shpejt. Bashkimi Evropian është fati ynë, Evropa është kontinenti ynë, dhe ne duam një Kosovë evropiane, një Ballkan evropian, pra Ballkan evropian, pa formulime të tjera për Ballkanin”, shtoi ai.