Kurti fajëson qeveritë paraprake për krizën me rrymën: Ishte më me leverdi të vidhej nga KEK-u sesa të investohej në KEK

Kryeministri i vendit Albin Kurti, ka bërë sot një adresim për media, referuar gjendjes së krijuar rreth krizës me energjinë elektrike.

Kurti ka thënë se duke kursyer në mënyrë maksimale, do të kalojnë këtë krizë të madhe të energjisë ndërsa dhe pati akuza ndaj qeverive paraprake për vjedhje nga KEK-u.

”Çmimet e tilla të energjisë mund të vazhdojnë nga tani për një periudhë të pacaktuar. Është e rëndësishme që të mundohemi ta kursejmë energjinë elektrike maksimalisht”.

”Unë zotohem për siguri të furnizimit me tranzicion të qëndrueshëm e çmime të përballueshme. Tani na duhet ta tejkalojmë dimrin e krizës së madhe të energjisë. Jemi në një situatë ku po vuajmë pasojat e vendimeve të këqija por dhe mungesës së vizionit para dy dekadave”.

”Vendime të këqija sepse për dy dekada nuk u bënë vendime me parime të qëndrueshme. Ja që ishte më me leverdi të vidhej nga KEK-u sesa të investohej në KEK. Por, ne jemi në krye të detyrës, shtetin e kemi gjetur përtoke në të gjitha drejtimet por së bashku do ta ngrisim në këmbë”.

”Këtë situatë të trashëguar duhet ta përmirësojmë por ata që na sollën në këtë ditë le t’na kursejnë nga leksionet e le të skuqen nga gjendja që na lanë shtetin”.