Hykolli: Sindikatat nuk janë të politizuara, kërkesat s’janë armiqësore

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka komentuar deklaratat e fundit të kryeministrit të vendit, Albin Kurti, i cili la të nënkuptohet se duhet të ndërrohen edhe udhëheqësit e sindikatave.

Hykolli tha se kërkesat sindikaliste nuk janë armiqësore në raport me qeverinë, teksa bëri thirrje që askush të mos mundohet ta ndryshojë qasjen e sindikatave në Kosovë.

“Kërkesat sindikaliste nuk janë armiqësore në raportin me qeverinë. Kështu që, ne po shpresojmë se do të kemi bashkëpunim dhe do të fillojmë me kërkesa tona siç është përshpejtimi për Ligjin e Pagave që të kemi mbrojtje dhe përfaqësim të drejtë të sindikalistëve”.

“Askush mos të mundohet se mundet me e ndryshu qasjen e sindikatave në Kosovë. Sikur zgjedhjet që mbahen në Kosovë, edhe ne zgjedhemi përmes votës dhe ne i preferojmë ata që janë më të zëshëm dhe që kanë një guxim sepse ne nuk kemi dëshirë që të na ndërhyjë dikush ne funksionimin e sindikatave”, është shprehur Hykolli në “Info Magazine” në Klan Kosova.

Tutje, ai tha se sindikata i shfrytëzojnë zgjedhjet për arritjen e qëllimeve të tyre, teksa shtoi se ato nuk janë të politizuara.

“Zakonisht se sindikatat i shfrytëzojnë zgjedhjet dhe para-zgjedhjet për arritjen e qëllimit të tyre. Mirëpo, mendoj se sindikatat në Kosovë nuk janë të politizuara. Tash e 20 vjet e këtej të gjitha qeverive u është kërkuar miratimi i ligjeve, pagës minimale, marrëveshjes kolektive, kështu që e drejtë e sindikatave është të kërkojë dhe nuk mendohet se është ndërhyrje në punën e qeverisë dhe sindikatat u dalin në mbrojtje të drejtave të punonjësve të Kosovës”, ka thënë Hykolli.