Kurti flet për herë të parë për Asociacionin pas deklaratave të emisarit amerikan

Në komunat veriore të Kosovës, më 31 korrik, pati rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur. Kështu ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Sipas tij, barrikadat që u vendosën në rrugët e veriut, në kundërshtim të zbatimit të vendimit për targat dhe dokumentet hyrëse për shtetasit serbë, ishin të pozicionuara në atë mënyrë që të qëllohej me armë mbi automjete dhe njerëz që kalojnë në atë zonë.

Kurti në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se nuk do të diskutojë lidhur me vendimet për targat dhe dokumentet hyrëse në takimin që do ta ketë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, më 18 gusht në Bruksel. Sipas tij, në mënyrë që më 1 shtator të shmangen tensionet e 31 korrikut, faktorët ndërkombëtarë “duhet ta zmbrapsin Beogradin në qasjen e tij destruktive ndaj Kosovës”.

Kryeministri ka bërë të ditur se ka dyshime për infiltrime nga Rusia pasi, sipas tij, Kremlini po dëshiron ta përdorë Serbinë si platformë për ta destabilizuar Ballkanin dhe, në veçanti, për ta sulmuar Kosovën.

Sa i përket marrëveshjes për Asociacionin për Komunat me shumicë serbe, ai ka thënë se organizimet që bashkojnë komunat me veçanti gjeografike apo ekonomike janë të nevojshme, por jo ato në bazë të etnisë.

“Kosova e ka Asociacionin e Komunave të Kosovës. Unë besoj se gjithçka mund të realizohet aty. Asociacioni i Komunave të Kosovës është shprehje e unitetit të vendit tonë dhe njëkohësisht është shprehje e brengës sonë për çdo nevojë që mund ta kenë komunat”, u shpreh.

Kurti për herë të parë ka folur rreth deklaratës së të dërguarit të Posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, se tashmë Asociacioni duhet të diskutohet dhe, sipas tij, ka disa modele evropiane që mund të ndiqen për Asociacionin.

“Modelet, të cilat janë zhvillimore, janë padyshim të nevojshme. Nëse kemi, ta zëmë, komunat e Maleve të Sharrit, ose të Bjeshkëve të Rugovës, ose komunat e Lumit Lepenc, komuna të cilat kanë të bëjnë me veçantinë gjeografike, ekonomike e zhvillimore të komunave, unë jam i interesuar. Por, asociacione sipas kriterit etnik, nuk e kalojnë testin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të parimit universalist demokratik. Nuk e kalojnë. Pra, nuk duhet të bëhet asociacioni i komunave serbe pse kemi këtë identitet etnik, nëse ia duam të mirën këtij vendi. Dhe, kur kihet parasysh që Beogradi – paralelisht me kërkesën për asociacion njëetnik – deklaron se kurrë nuk do ta njohë Kosovën, pasi që masakra e Reçakut kurrë nuk ka ekzistuar – atëherë besoj që nuk ka njeri për të cilin nuk është i qartë konteksti në të cilin jetojmë”, u shpreh Kurti në këtë intervistë dhënë për Radion Evropa e Lirë.