Kurti flet për takimin me Lajçakun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është deklaruar rreth takimit të mbrëmshëm me të Dërguarin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak.

Kurti ka thënë se marrëveshja me Serbinë duhet të ketë njohjen reciproke në qendër.

“Marrëveshja duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër sepse vetëm asisoj e bëjmë normalizimin e plotë të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kurti, teksa ka folur edhe për marrëveshjet e arritura ndër vite me Serbinë.

Sipas tij, në njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet për marrëveshje të tjera.

“Diplomacia fluturuese i është bashkangjitur takimeve të nivelit të lartë për propozimin e bashkimit evropian të mbështetur nga Franca, Gjermania dhe SHBA-ja, ky propozim i ka 5 fjali dhe 10 nene gjithsej, kur e patëm marrë ne atë, patëm thënë që është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme, është një kornizë e platformë e cila na mundësoj të ecim përpara, mirëpo nevojitet një proces negociator i bisedimeve në mënyrë që ai propozim të behët marrëveshje. Ajo çfarë ne theksojmë është qe ne njërën anë janë 33 marrëveshje të Brukselit nga dekada e kaluar dhe nuk ka asnjë marrëveshje e cila ka prioritet për marrëveshje të tjera. Pra, nuk ekziston hierarki e atyre marrëveshjeve”, ka thënë Kurti.

“Ato 33 marrëveshje janë vendosura në një rrafsh horizontal, ndërkaq në anën tjetër këto 10 nene nuk tolerojnë që një nen atje ka fundi të sillet i pari si parakusht dhe mos të harrojmë asnjëherë që marrëveshja duhet të këtë njohjen reciproke në qendër”, theksojë Kurti.

Kurti është shprehur se kjo është rruga më e mirë për normalizimin e plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

Kurti për Asosacionin tha se ka insistim nga ndërkombëtarët si dhe theksoi se është e vetmja marrëveshje prej 33 marrëveshjet e Brukselit që nuk e ka kaluar testin e Gjykatës Kushtetuese.

Ndryshe, Lajçak pas një darke pune që pati mbrëmë me kryeministrin Kurti dhe zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, tha se se me ta pati diskutime të hapura dhe intensive. Lajçak tha se me Kurtin e Bislimin u dakorduan për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara.

“U ktheva në Kosovë sot për t’i vazhduar diskutimet e mia të sinqerta, të hapura dhe intensive me kryeministrin Albin Kurti dhe zv.kryeministrin Bisnik Bislimin, për hapat e ardhshëm dhe rrugën përpara për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne gjithashtu u dakorduam që të gjitha marrëveshjet e kaluara të dialogut, të zbatohen plotësisht”, shkroi Lajçak.