Kurti: Gjenocidi në Kosovë është e vërteta e Serbisë si shtet, të pagjeturit janë plagë e hapur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeparlamentarin, Glauk Konjufca kanë bërë homazhe në Ditën Kombëtare për Persona të Zhdukur.

Me këtë rast kryeministri Kurti deklaroi se të zhdukurit me dhunë duhet të duken në përgjegjësinë institucionale dhe aktivitetet qytetare.

“Të gjithë ata na mungojnë, të gjithëve e sidomos familjeve të tyre, por edhe gjithë shoqërisë, popullit, shtetit e të ardhmes sonë. Sot shënojmë 22 vjetorin e masakrës së Mejës që është dëshmi tjetër e gjenocidit të Serbisë në Kosovë.Gjenocidi në Kosovë është e vërteta e Serbisë si shtet. Por kjo nuk mjafton, duhet që urdhërdhënësit e këtij gjenocidi, e masakrave e të vrarëve të pafajshëm e civil të paarmatosur të sillen para drejtësisë, që të akuzohen, gjykohen e dënohen.Kjo është një plagë e hapur që nuk e mbyll kalimi i kohës, sa më shumë kohë kalon dhembja nuk fashitet por shtohet dhe si kryeministër i Kosovës bashkë me presidenten e vendit dhe kryparlamentarin jemi zotuar se do të bëjmë krejt çka mundemi e dimë në mënyrë që të jemi pranë këtyre familjeve por edhe të ndihmojmë sjelljen e drejtësisë për gjetjen e të vërtetë”, deklaroi Kurti, shkruan lajmi.net.

Kryeministri Kurti theksoi se e vërteta është përpjekur të varroset në Batajnicë, në Perushavc e varrezat e tjera masive nëpër fusha, male e liqene por ju e dini se ajo u rishfaq.

“Sepse s’mund të shtypet e ndrydhet përjetë e vërteta, sepse ajo nxjerr kokën e del.Shqiptari i vrarë i zhvarrosur e transportuar është ajo e vërtetë që nuk rri as nën ujë e as nën tokë.Prandaj në raport me Serbinë e për hir të së ardhmes dhe historisë sonë, duhet të bëhemi bashkë dhe të kërkojmë përgjegjësinë duke qenë përgjegjës edhe në institucionet tona dhe në secilën pozitë që mbajmë

.U jam mirënjohës familjeve që kurrë s’e ndalën aktivitetin e tyre në protesta e peticione, në borë e shi ku me lot në sy prisnin eshtrat e më të dashurve të tyre. Andaj kjo lloj dhimbje që është më shumë ankth se sa pikëllim duhet të marrë fund dhe për këtë zotohemi ne”, shtoi ai.