Faturat e shtrenjta të energjisë, opozita paralajmëron masa tjera

Partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje e ka pranuar që është fakt evident se ka dyshime për faturim jo të saktë të energjisë elektrike në muajin dhjetor.

Kjo, deklaratë është dhënë të enjten nga shefja e grupit parlamentar të kësaj partie Mimoza Kusari-Lila.

Për këtë ajo ka thënë se qytetarët duhet t’i drejtohen KESCO-s dhe ZRrE-së.

Pikërisht për këtë të enjten është mbajtur edhe seancë e jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës e thirru nga PDK-ja, në të cilën u shqyrtua Propozim-rezoluta në lidhje me çmimin dhe faturimin aktual të energjisë elektrike për konsumatorë.

Por, kjo rezolutë nuk u hedh në votim për shkak të mungesës së kuorumit.

E, njëjta u kundërshtua me deklarata pikërisht nga partia në pushtet.

Shala: Nëse rezoluta për zbritje të çmimit të energjisë nuk kalon, do të ndërmarrim hapa të tjerë

Lidhur me këtë për Front Online ka folur deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

Ai, ka thënë se pret që në seancat e tjera kjo rezolutë të vihet përsëri në rend të ditës dhe të votohet.

Kjo, për shkak që siç thotë deputeti është kërkesë e konsumatorëve që çmimi i energjisë të ulet.

“E, mira është që rezoluta të miratohet, është e nevojshme, është e arsyetuar, është kërkesë e konsumatorëve të cilët po paguajnë shtrenjtë energjinë elektrike këto muaj dimri duke iu nënshtruar inflacionit të lartë dhe gjendjes së rëndë ekonomike por megjithatë është në dorën e shumicës parlamentare se në fund të fundit kjo është demokracia edhe pse nganjëherë në dëm të qytetarëve”, është shprehur Shala për Front Online.

Por, çka nëse rezoluta nuk kalon dhe cilët do të jenë hapat tjerë të kësaj partie?

Deputeti Ferat Shala, thotë se do të shikojnë hapat tjerë institucional e juridik, por se tani për tani nuk e din saktë se çfarë do të ndërmarrin.

“Nëse kjo rezolutë nuk kalon ne do të shohim hapa tjerë institucional, hapa të tjerë juridik hapa të tjerë në sensibilizimin dhe masivizimin e kërkesës qytetare për ndryshim të këtyre politikave që janë krejtësisht në disfavor të ekonomisë familjare dhe qytetarëve. Nuk mund të themi tash se çfarë do të bëjmë, por do të shfrytëzojmë çdo mekanizëm demokratik, legal për të kundërshtuar çdo shkelje jo vetëm këtë të energjisë por që është në dëm të ekonomisë, institucioneve të shtetit dhe në dëm të qytetarëve”, ka thënë ai.

I pyetur se si e ka parë kundërshtimin e pozitës karshi kësaj rezolute, Shala ka pohuar se shumica parlamentare po e mbron abuzimin me fatura te energjisë.

“Nuk e ka të lehtë shumica ta pranojë faktin e të del si me thënë krejtësisht transparente para krejt këtyre keqpërdorimeve por po shpresojmë që edhe debati i së enjtes e ka nxjerrë një pjesë të vërtetës së madhe dhe do të duhet të reflektonte Qeveria, por nëse nuk e bën këtë ne do të shohim hapa tjerë, por tashmë është e vërtetuar që abuzimi me çmimin e energjisë po vazhdon”, ka shtuar Shala.

Pesë ditë më parë nga KESCO kanë deklaruar se mbi 1700 konsumatorë kanë dërguar ankesa fizike në këtë institucion për faturat e fryera të energjisë elektrike.

Front Online ka pyetur KESCO-n edhe sot se sa ka arritur numri i ankesave dhe kur pritet të njëjtat të fillojnë të shqyrtohen por nga ky institucion nuk kanë kthyer përgjigje.

Shala nga KMDLNj: Numri i ankesave të konsumatorëve për fatura shumë më i madh se 1700

Për faturat e ‘fryera”, të muajit dhjetor kishin reaguar edhe nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj).

Drejtori i KMDLNj-SË, Behxhet Shala ka deklaruar për Front Online se në vazhdimësi po kërkojnë që Prokuroria të nis hetimet për faturat e energjisë elektrike.

Ndërsa, thotë se pavarësisht që nga KESCO kanë treguar që janë mbi 1700 ankesa të konsumatorëve, numri i tyre sipas Shalës është shumë më i madh.

“Shifrat që kanë dalë e që janë mbi 1700 ankesa të qytetarëve për fatura, ne mendojmë se numri është shumë më i madh”, ka deklaruar Shala për Front Online.

Ai, thotë se duhet të ndërmerren masa ligjore ndaj të gjithë atyre që e kanë krijuar këtë situatë me fatura të energjisë.

“Duhet, sa më parë që të ndërmerren masa ligjore ndaj të gjithë atyre që e kanë krijuar këtë situatë. Në radhë të parë ZRrE-ja sepse kjo e fundit në vend që të mbroj interesat e qytetarëve po mbron interesat e të tjerëve”, ka shtuar ai.

Por, ai ka një kërkesë edhe për qytetarët e vendit

“Por këtu përgjegjësi duhet të marrin edhe qytetarët sepse përpos reagimeve verbale nuk po bëjnë asgjë, në vend që të demostrojnë dhe t’ia zën derën ZRrE-së edhe KESCO-s ata po rrijnë në shtëpi dhe po mjaftohen me një ankesë qoftë në KMDLNJ, qoftë në ZRrE apo edhe në KESCO”, ka thënë ndër të tjera drejtori Shala.

Në fund të dhjetorit pas ankesave të shumta të qytetarëve për “fatura të fryera”, Kompania për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) ka thënë se vlera e faturës së muajit dhjetor është rritur si pasojë e “shpenzimit më të madh të rrymës” dhe mos subvencionimit të konsumatorëve kursimtarë nga Qeveria e Kosovës krahasuar me një vit më parë, pas ankesave të shumta nga konsumatorët.