Kurti i kundërpërgjigjet indirekt ambasadorit Hill, i quan gënjeshtra deklaratat se pala serbe ishte konstruktive

Kryeministri Albin Kurti i ka quajtur gënjeshtra deklaratat se pala serbe është treguar konstruktive në takimin që e patën liderët e dy vendeve, më 18 gusht në Bruksel.

Në deklaratën që dha në fillim të mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se në takimin e fundit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi u fol për menaxhimin e krizës në veri të vendit, për zbatimin e vendimeve për dokumentet për hyrje-dalje për shtetasit serbë dhe riregjistrimin e veturave me targa të përkohshme që lëshohen nga Serbia.

“Në Bruksel, nuk kemi pasur angazhim konstruktiv e as propozime konkrete nga pala serbe”, tha Kurti duke shtuar se katër propozime konkrete lidhur me këtë çështje ishin dhënë nga Mirosllav Lajçak, përfaqësues i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Prishtinë – Beograd.

Kjo deklaratë e Kurtit vjen edhe si kundërpërgjigje ndaj deklaratave të ambasadorit amerikan në Beograd, Christofer Hill, i cili më 23 gusht e ka quajtur të përgatitur palën serbe për paraqitjen e saj në rundin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi. Ndërkaq, palët e tjera, siç tha ai, nuk ishin të përgatitura “që të flasin për specifika”.

Gjatë një interviste për median serbe, N1, Hill tha se në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga BE-ja po tentohen të bëhen dy gjëra: adresimi i çështjeve urgjente, përkatësisht vendimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për targat dhe dokumentet serbe dhe adresimi i çështjeve, siç tha ai, të rëndësishme.

“Të them të drejtën, pala serbe veproi mirë. E dinin se për çfarë do të flisnin, çfarë ishte e rëndësishme. Fatkeqësisht, disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika”, tha Hill, përcjell Demokracia.com.

Hill tha se në takimin midis Kurtit dhe Vuçiqit, ky i fundit shkoi i përgatitur “për të negociuar dhe vërtet bëri punët e shtëpisë”.

“Prandaj, mendoj se ata [Serbia] vërtetë tentuan që të ishin fleksibil dhe për të gjetur zgjidhje”, tha Hill.

Ky takim, nën ndërmjetësimin e BE-së, përfundoi pa asnjë marrëveshje.