Sveçla: 11 kosovarë u lënduan mbrëmë nga strukturat ilegale kriminale të armatosura

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka dhënë detaje për situatën që ka ndodhur mbrëmë në veri të vendit, pas kundërshtimit të ashpër të serbëve për masën e reciprocitetit për letërnjoftimet dhe targat.

Ai, në një konferencë për media, njoftoi se janë lënduar 11 qytetarë kosovarë nga zhvillimet e djeshme.

“Janë dëmtuar edhe disa vetura të qytetarëve dhe të Policisë së Kosovës nga strukturat ilegale kriminale të armatosura, për këtë policia ka filluar hetimet. Sipas informacioneve të fundit disa barrikada tashmë janë larguar, edhe një pjesë e barrikadave ka filluar të largohet”.

Sveçla ka theksuar se procedura e lëshimit të fletëdeklarimeve është shumë e shkurtër “për dallim nga pala tjetër e cila për 11 vite ka shërbyer si një metodë presioni për shtetasit tanë që kanë kaluar nëpër Serbi”.

“Për shkak të dezinformatave dua që të siguroj qytetarët e Kosovës, sikurse qytetarët e shtetit fqinj, se gjatë hyrjes dhe qarkullimit në Kosovë do të shfrytëzojnë fletëdeklarimet që janë të vlefshme për 90 ditë”, ka thënë Sveçla.