Kurti: Jemi të vendosur që integriteti dhe sovraniteti të mbesin të pacenuara

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e Kosovës është e vendosur që integriteti territorial të mbetet i paprekshëm.

Kurti këto deklarime i bëri pas takimit që pati me Përfaqësuesin Special të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe atë të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Ai tha se e mbështet procesin e dialogut që, sipas tij, duhet të jetë parimor.

“Qeveria e Republikës së Kosovës e mbështet procesin parimor në Bruksel. Ne jemi të vendosur që integriteti, sovraniteti, kushtetutshmëria tërë kohën dhe kudo të ngelen të pacenuara nga çfarëdo e ndokujt. Unë jam kryeministër i qytetarëve pa dallim, prandaj jam i gatshëm t’u përgjigjem të gjitha kërkesave të qytetarëve të Kosovës. Ne dëshirojmë ndihmën e BE-së. Fondet dhe vlerat evropiane ne i shohim të pashkëputshme ndaj njëra-tjetrës”.