Kurti: Kurrë s’e kam menduar që do të bëhem deputet, se lëre më kryeministër

Kryeministri Albin Kurti ka qenë mysafir në podkestin The Rest is Politics (Pjesa tjetër është politikë) që është në kuadër të Apple.

Ai ka folur për rreth një orë ku mes tjerash ka rrëfyer edhe për rrugëtimin e tij politik.

“Gjithmonë e kam konsideruar veten aktivist politik. Unë kurrë nuk kam menduar që do të bëhem deputet në parlament se lëre më kryeministër”, ka thënë Kurti në podkest, njofton Klan Kosova.

“Prandaj, këto të gjitha janë pasoja të veprimeve të mia dhe të rrethanave, por kurrë caku im”.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë që ShBA-ja, BE-ja dhe Mbretëria e Bashkuar mbeten miq dhe aleatë të Kosovës, porse bashkëpunimi i Kosovës me ta nuk është njëdrejtimësh, dhe se i mirëpret kritikat nga ta.

Moderatori në podkestin e Apple, The Rest is Politics, i tha që duket sikur Kurtit nuk i pengon nëse e hidhëron dikë duke iu referuar kritikave të bashkësisë ndërkombëtare për çështjet si ajo e dinarit.

“Pikë së pari nuk më pengon kritika. Jam intelektualisht fëmijë i teorisë kritike, që nga Zhan Zhak Rusoja e deri te Shkolla e Frankfurtit , andaj kritika është e shëndetshme. Besoj që nuk ka progres pa kritikë”, ka thënë Kurti në podkest, njofton Klan Kosova.

“Ne mund të mos pajtohemi por Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe Mbretëri e Bashkuar janë aleatët, miqtë dhe partnerët tanë, dhe kjo nuk do të thotë që bashkëpunimi ynë është njëdrejtimëshe”.

Ne duhet ta dëgjojmë njëri-tjetrin dhe në këtë kuptim besoj që duhet ta mbroj Kosovën ,duhet ta përfaqësoj më mirë madje edhe se aleatët tanë”.

“Unë nuk do të kisha qenë kryeministër nëse Kosova nuk do të kishte qenë republikë”.