Kurti: Lufta e lavdishme e UÇK-së arriti t’i përfshijë aleatët ndërkombëtarë në çlirimin e Kosovës

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka mbajtur fjalimin e tij në seancën solemne me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës.

Kurti tha se akti i shpalljes së pavarësisë më 2008 shënon hapjen e një kapitulli të pakthyeshëm për historinë moderne të Kosovës.

“Ky kapitull duhet të mbetet i tillë duke u mbrojtur politikisht dhe duke u forcuar nga të gjithë në secilin rast para çdo sfide”, tha ai.

Shefi i Qeverisë ka thënë se shpallja e pavarësisë së Kosovës ka qenë rezultat i shumë përpjekjeve dhe sakrificës së popullit të Kosovës dhe gjithashtu edhe ndihmës së aleatëve ndërkombëtare të Kosovës.

“Republika e Kosovës erdhi nga gjaku i dëshmorëve dhe martirëve të rënë, siç erdhi edhe nga kontributi i tyre që i drejtuan dhe zhvilluar proceset politike shtetndërtuese deri në këtë ditë”, ka shtuar tutje kryeministri.

Kurti po ashtu tha se pavarësia e Kosovës ka ardhur si rezultat i luftës së lavdishme të UÇK-së të cilën me luftën e drejtë të tyre arritën që t’i përfshijnë edhe aleatët ndërkombëtar që ta ndihmojnë Kosovën për t’u çliruar nga Serbia më 1999.

“Republika jonë erdhi nga lufta e lavdishme e UÇK-së që me luftën e tyre të drejtë arritën t’i përfshijnë edhe aleatët ndërkombëtar që më 1999 na ndihmuan të çlirohemi”, ka shtuar kryeministri Kurti.

Kurti tha se kanë qenë po këta aleatë që në vitin 2008 kishin përkrahur faktorët vendor për të koordinuar veprimet politike dhe proceseve të domosdoshme demokratike që rezultuan me shpalljen e pavarësisë.

“Ishin po këta aleatë që më 2008 mbështeten po ata faktor vendor në koordinimin e gjithë atyre veprimeve politike dhe proceseve të domosdoshme diplomatike që kulmuan me shpalljen e pavarësisë më 2008.

Që nga atëherë partneret dhe aleatët kanë qenë të pandashëm ndaj synimeve të Kosovës”, tha ndër të tjera kryeministri Kurti.