Kurti: Me Malin e Zi do të formohet komisioni për rishikim të vijës kufitare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës së Kuvendit ka folur edhe për Demarkacionin me Malin e ZI. Ai ka thënë se duhet të formohet Komision i përbashkët për rishikim e kësaj marrëveshje.

Sipas tij, komisioni do të formohet nga ekspertë të fushës.

Kurti para deputetëve tha se edhe presidenti i Malit të Zi, Gjukanoviq, ka shprehur gatishmëri për këtë çështje.

“Së bashku me Qeverinë e Malit të Zi duhet të formohet Komisioni i Përbashkët për korrigjimin e gabimeve në Demarkacion. Duhet të formohet në momentin më optimal. Ne jemi gati, duhet të pritet Mali i Zi në formimin e Komisionit. Ekspertët vendor kanë punuar në këtë drejtim. Besoj që edhe Qeveria e Malit të Zi do të reflektojë pasi presidenti Gjukanoviq ka shprehur gatishmëri. Vetëvendosje e ka kundërshtuar versionin e nënshkruar”, tha Kurti.

Tutje Kurti ka thënë se është dashur të ketë rishikim e pastaj korrigjim, por që Qeveritë e mëparshme sipas tij gabuan në hapa, përcjell Demokracia.com.

“Në Qeveri është aprovuar raporti me mbi 800 faqe por mendimi që ne kishim është se së pari rishikim e pastaj ratifikim. Qeveria e asaj kohe veproi keq me së pari ratifikim e pastaj korrigjim. Pala malazeze është shumë e varur nga raportet politike në vendin e tyre. Jemi të gatshëm dhe në pritje”, tha Kurti.