Kurti mohon se ka marrë ultimatum nga ndërkombëtarët për situatën në Veri

Asnjë ultimatum nga ndërkombëtarët sa i përket situatës në veri nuk ka ardh në adresë të kryeministrit Albin Kurti.

Këtë e bëri të ditur vetë ai në një deklarim për media pas aktivitetit të xhudos që është mbajtur në palestrën “Minatori” në Mitrovicë.

“Nuk kam marrë kurrfar ultimatumi. U takuam me emisarët dhe u kam ofruar mënyrën e sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri të Kosovës e shkaktuar nga strukturat ilegale. Së pari është sundimi i ligjit, kemi me dhjetëra ushtarë të NATO-s, policë të Kosovës dhe gazetarë që ishin viktima të një egërsie të paparë të ekstremistëve të dhunshëm”, u shpreh Kurti.

Në anën tjetër, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar deklaroi nga Beogradi se nuk i ka dhënë afate Kosovës, siç është raportuar një ditë më parë, në lidhje me 3 kërkesat e tyre.

Ai paralajmëroi se Asociacioni do të formohet me qeverinë aktuale të drejtuar nga Albin Kurti ose me ndonjë qeveri të ardhshme.

“Nuk kam dhënë një afat. Ajo që më pyetën në Prishtinë ishte se cilët ishin hapat e mëtejshëm dhe nga unë dhe z. Lajcak pas kësaj vizite do të kërkohet një përditësim të premten, Shtëpia e Bardhë do të kërkojë nga unë të jap një përditësim se çfarë po ndodh dhe unë duhet të raportojë nëse kemi progres apo jo. Z. Lajcak duhet të shkojë dhe të raportojë te zoti Borrell për të dhënë të njëjtin vlerësim. Pra, nuk është një afat, por ky është hapi tjetër për mua, dhe në bazë të raportit tim, ne do të marrim disa vendime për të ecur përpara, por nuk është një afat për askënd”, deklaroi Escobar.

Në një fjalë rasti në palestrën “Minatori” në Mitrovicë, Kurti ka thënë se Kelmendi mbetet sinonim i suksesit.

“Majlinda në rrugëtimin e saj u bë simbol i shpresës dhe i përkushtimit në Republikën e Kosovës dhe anë e mbanë botës. Sot me kokën lart, Majlinda vazhdon të mbetet sinonim i suksesit për secilin prej nesh”, ka thënë Kurti.

Ndër të tjera, ai ka bërë të ditur se nga viti i ardhshëm, mësimi i sportit të xhudos do të futet nëpër shkolla.