Kurti nesër e takon këshillin grevist

Kryeministri Albin Kurti, të martën do takojë këshillin grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Mësohet se takimi do të mbahet në mëngjes (ora 8:00) – kjo për gjetjen e një zgjidhjeje të përshtatshme për nisjen e mësimit.

Pas një takimi të dielën, kryetarët e Kuvendeve Sindikale Komunale të Arsimit Parauniversitar dhe të Universiteteve, morën vendim që greva të vazhdoi për kohë të pa caktuar.

Qëndrim unanim i pjesëmarrësve të këtij takimi ishte që derisa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së dhe nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve, greva do të vazhdojë.

Kërkesë specifike ishte që Kurti ta takojë Rrahman Jasharajn, kryesindikalistin e SBASHK-ut, të cilin duket se kryeministri nuk “do ta shoh me sy”. Nuk dihet nëse në takimin e nesërm do të jetë i pranishëm edhe Jasharaj.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës thotë se projektligji që parasheh rritje të pagave për mësimdhënësit, do të dalë në miratim së shpejti, dhe kërkon hapjen e shkollave.

Për grevën ka reaguar edhe Këshilli i Prindërve.

Ata thonë se për shkak të situatës së krijuar shumë nxënës kanë filluar të çregjistrohen nga shkollat publike.

“Kjo situatë e përsëritur për të satën herë, në momentin më të rëndë të arsimit në Kosovë, është tërësisht e papranueshme dhe e paarsyeshme, e cila po dëshmohet edhe me çregjistrime të përditshme të nxënësve nga shkollat publike”, thuhet në njoftimin e tyre.

Ndryshe, greva e SBASHK-ut ka nisur më 25 gusht, duke lënë jashtë shkollave afro 300.000 nxënës.

Kërkesat e tyre janë pagesa e 100 eurove për çdo muaj deri në miratimin e ligjit për pagat dhe pjesëmarrja e tyre në dialogun social.