Kurti nesër niset për në Paris: Mund të kem takim me Vuçiqin

Në edicionin e pestë të Forumit të Paqes do të marrë pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Pjesëmarrjen në këtë Forum e ka bërë të ditur vetë kryeministri Kurti përmes një video në profilin e tij në facebook.

Kurti ka thënë se me ftesë të Presidentit Francez Emmanuel Macron, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje.

Më poshtë keni postimin e plotë:

Të dashur qytetarë,

Nesër, pra të enjten, herët në mëngjes do të nisem për Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, bashkë me gruan time Ritën, e me ftesë të Presidentit Francez Emmanuel Macron. Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria.

Jam i gatshëm sepse i përgatitur, dhe gjithnjë i interesuar, për dialog për marrëveshje, për normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër. I kemi dy propozime në tavolinë: ai imi për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes i prezantuar në takimin e 18 gushtit 2022 në Bruksel, si dhe propozimi franko-gjerman që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne. Dialogu parimor me të tjerët, sundimi i ligjit njësoj për të gjithë, dhe, paqja e siguria në tërë territorin, shkojnë bashkë.

Ju falemnderit për mbështetjen e mirupafshim. Ju dëshiroj natë të mirë e ditë të mbara

/Periskopi