Kurti: Një i punësuar në çdo familje me subvencionim page deri në 300 euro

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar të shtunën skemën “Qeveria për familjet”, me të cilën ka thënë se synohet që çdo familje në Kosovë të ketë së paku një anëtar të punësuar.

Ai ka thënë se kushti kryesor për të përfituar nga kjo skemë është që punëkërkuesi s’ka të punësuar asnjë anëtar të familjes. Qeveria është zotuar se do ta subvencionojë deri në 70 për qind të pagës bruto të punëtorit, maksimumi 300 euro, për gjashtë muaj me radhë.

Ai tha se kushti i vetëm për të përfituar nga kjo skemë është që punëkërkuesi nuk ka të punësuar asnjë anëtar të familjes.

“Nga e hëna, krejt çka duhet të bëni ju si qytetarë, që kërkoni punë e që e plotësoni këtë kusht, dhe si punëdhënës privat që kërkoni punëtor, është të dërgoni dokumentet përkatëse në Zyrën e Punësimit në komunat tuaja. Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve të hënën do të ndajë me ju të gjitha informatat e nevojshme”, është shprehur Kurti përmes një video-mesazhi, transmeton Fokusi.info.

Tutje, Kurti tha se po bëjnë një hap tejet të rëndësishëm drejt Skemës së Punësimit të Garantuar dhe, sipas tij, po vendosin një standard të ri të politikave të punësimit që rrisin mirëqenien e qytetarëve.

Gjithashtu, ai tha se punësimi e drejtësia janë prioritetet tona, pasi sipas tij, këto janë kërkesat e qytetarëve, ku edhe përmendi miratimin në lexim të parë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfisikim e Pasurisë së Pajustifikueshme, Projekt-kodin e Procedurës Penale si dhe Projektligjin për Deklarimin, Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë.