Kurti: Pandemia s’duhet të ndikojë në mbylljen e Kosovës dhe Shqipërisë brenda vetes

Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri ftuan sot kryeministrin Albin Kurti në një takim përmes internetit për të shënuar 1-vjetorin e aksionit të parë kolektiv pas themelimit të Qendrës në Shqipëri.

Aktivistët diskutuan me kryeministrin mbi situatën politike dhe ekonomike në Kosovë e Shqipëri gjatë periudhës së pandemisë.

Kurti u shprehu aktivistëve urimet e tij më të përzemërta për 1-vjetorin e Qendrës dhe punën e tyre 12 mujore në Shqipëri, që është mirëpritur me shumë dashamirësi e shpresë edhe në Kosovë.

Ai tha se potenciali i Qendres në Shqipëri është shumë i madh, dhe ashtu siç qytetarë nga Shqipëria kanë kontribuar në rritjen e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Kosovë, edhe qytetarë nga Kosova duhet të ndihmojnë në zgjerimin e mëtejshëm të Lëvizjes në Shqipëri.

Situata e pandemisë nuk duhet të ndikojë në mbylljen e Shqipërisë dhe Kosovës brenda vetes, pasi kemi nevojë për njëri-tjetrin si dy shtete të të njëjtit komb.