Kurti paralajmëroi reciprocitet me Serbinë, reagon BE

Qeveria e Kosovës së fundmi ka paralajmëruar rikthimin e reciprocitetit me Serbinë, vendim ky që ishte kritikuar edhe në qeverisjen e kaluar të udhëhequr nga Albin Kurti.

Një vendim i tillë si duket përsëri nuk do të gjente mbështetjen e Bashkimit Evropian, të cilët ju kanë bërë thirrje të dy palëve që të përmbahen nga këto deklarata dhe veprime.

Kështu ka thënë për Periskopin zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili ka thënë se BE-ja pret nga Kosova e Serbia që të përmbahen në veprime që mund të dëmtojnë normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.

”Në përgjithësi, ne nuk jemi duke komentuar deklaratat e të tjerëve. Por, kur bëhet fjalë për dialogun Beograd-Prishtinë, Bashkimi Evropian iu bën thirrje dhe pret nga të dy palët që të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që janë të dëmshme për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe nuk kontribuojnë në një progres të suksesshëm në dialog”, ka thënë Peter Stano.

Në fund, zëdhënësi i BE-së ka bërë të ditur se puna për dialogun është duke vazhduar, ndërsa pritet të bëhet publik edhe takimi i ardhshëm që do të mbahet në Bruksel.