Kurti paralajmëron për situatën në veri: Po inskenohen sulme për ta fajësuar Policinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbledhjen e Qeverisë së Kosovës e ka nisur me një paralajmërim të ashpër. Sipas tij, bazuar në informacionet e sigurisë e inteligjencës, ka mundësi për inskenime në veri për ta fajësuar Policinë e Kosovës.

“Institucionet e sigurisë së fundmi kanë hetuar rrezikun në rritje të inskenimit të sulmeve të dhunshme nga grupet e strukturave të Serbisë në Kosovë. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës dhe paraqitja e saj si forcë shtypëse mbi serbët e Kosovës. Për ta arritur këtë nuk kanë vënë çmim në tavan. Nuk do të zgjedhin mjet. Mbështetja e grupit terrorist që ka marrë nga Serbia në njërën anë duke i trajtuar si heronj, në anën tjetër duke intensifikuar aktivitetet e ushtrisë pranë kufirit me Kosovën vetëm sa i inkurajuar ata”, ka thënë Kurti.

“Deshën ta ndryshojnë realitetin në terren përmes organizimeve paramilitare, nuk ia arritën. Provuan ta keqpërdorën Manastirin e Banjskës, nuk ia arritën. Tani formacionet kriminale të sponsorizuara nga fqinji ynë verior në skenarin e tyre destabilizues, ka shumë të ngjarë që dallimet etnike t’i keqpërdorin për synime politike. Javën që lamë pas u shënua 23-vjetori i rrëzimit të Millosheviqit, 23 vjet pas asnjëherë më parë nuk i ka ngjarë më së shumti Serbisë së Millosheviqit ky pushtet në Serbi, në botëkuptime, në metoda, në sjellje e në veprime”, deklaroi Kurti.

Kryeministri foli edhe për lirimin e kryekriminelit Milan Radoiçiq.

“Shumë çka është ndryshe prej asaj të diele. Gjithçka do të ishte ndryshe nëse grupi terrorist nuk do të neutralizoheshin që në natën e parë. Ata dështuan dhe kjo i ka dëshpëruar. Lirimi i Radojiçiqit më pak se 24 orë pas arrestimit është dëshmi e sinjalit për rigrupim dhe hakmarrje. Institucionet e tona të sigurisë dhe inteligjencës kanë identifikuar inskenimet. Qëllimi i tyre kryesor është fajësimi i Policisë së Kosovës”, theksoi kryeministri.

“Andaj ju bëjë thirrje serbëve që ditëve të fundit të jeni të vëmendshëm dhe të vetëpërmbajtur nga cytjet dhe aktet e dhunës dashakeqe. Në Kosovë, jemi të gjithë të barabartë sepse shteti është ligjor dhe demokratik. Nuk ka komunitete të padëshiruara. Të raportoni sjelljen e dyshimta në komunitetet tuaja, t’i përcjellni njoftimet e institucioneve, të ruani qetësinë në çdo situatë dhe të mos bini pre e dezinformatave.” – shtoi Kurti.

Kujtojmë që me 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve, që udhëhiqej nga Milan Radojiçiqi, ish-nënkryetar i Listës Serbe që dyshohet edhe për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, kreu një sulm terrorist, ku ra një polic kosovar në krye të detyrës dhe u vran tre terroristë.

Ndryshe, Kosova në vazhdimësi, që nga data 24 shtator, ka kërkuar sanksione ndaj Serbisë nga ana e bashkësisë ndërkombëtare, pasi shteti kosovar beson se prapa sulmit qëndrojnë strukturat shtetërore serbe.