Sulmohet mjeti transportues i KB Yllit

Është sulmuar sot mjeti transportues i dy gjeneratave të reja të skuadrës së KB Yllit në Rahovec nga disa persona të paidentifikuar.

Lajmin e ka bërë të ditur klubi KB Rahoveci i cili ka dalë me një deklaratë duke e shpjeguar gjendjen.

Gjithashtu kërkuan nga KB Ylli që të mos bëjnë deklarata të pamatura duke e lidhur incidentin me çështjen e sigurisë gjatë turneut FINAL 8.

“Klubi i Basketbollit Rahoveci me shqetësim ka pranuar informacionin se mjeti transportues i dy gjeneratave të reja të skuadrës së Yllit, është dëmtuar nga personat të paidentifikuar.

KB Rahoveci dënon çdo akt të dhunës që nuk i përket frymës sportive, ndërsa u bënë thirrje Policisë së Kosovës dhe organeve tjera relevante që të identifikojë personat që kryen një akt të tillë.

KB Rahoveci poashtu fton edhe K.B. Golden Eagle YLLI që të mos bëjë deklarime të pamatura, duke e lidhur incidentin në fjalë me çështjen e sigurisë gjatë turneut FINAL 8.

Lidhja e këtyre veprimeve nuk i kontribuon frymës sportive, dhe mbi gjitha rrit tensionet mes palëve, për çka ne nuk jemi të interesuar, shpresojmë edhe ju.

Ne ia kujtojmë skuadrës nga Suhareka se KB Rahoveci është klubi më i organizuar në vend, madje në zhargonin basketbollistik kosovar shquhemi si shkëndija që i dha entuziazëm këtij sporti në vendin tonë.

Qytetarët e Komunës së Rahovecit janë njerëzit më mikpritës në Kosovë, e kjo u dëshmua në edicionin e kaluar të turneut.

Klubi ynë dhe task-forca e angazhuar për FINAL 8 ka bërë gati edhe detajin më të vogël për mbarëvajtjen sa më të mirë të garës, në të gjithë aspektet.

Andaj, s’na mbetet gjë tjetër veçse t’iu ftojmë në Rahovec dhe ta shijoni spektaklin më të madh në basketbollin kosovar epokën e pasluftës.” – thuhej në deklaratën e “Vreshtarëve./Indeksonline/