Kurti për ndalesat për ish-krerët e UÇK-së në Hagë: Mundësitë i kemi të kufizuara

Kryeministri Albin Kurti tha se institucionet e Kosovës i kanë mundësitë të kufizuara që të ndikojnë në Gjykatën Speciale në Hagë.

Duke komentuar vendimin për ndalimin e vizitave dhe telefonave për ish-krerët e UÇK-së, ai tha se ndikimi i Qeverisë është tejet i vogël.

Por, Kurti shtoi se bashkë me kreun e Kuvendit, Glauk Konjufcën, po punojnë në këtë drejtim.

“Sigurisht qe bëhet fjalë për zhvillim negativ, meqenëse e pësojnë familjet, më të dashurit e atyre që po mbahen mbi 3 vjet në Hagë. Unë këtë dje e kam marr vesh nga deputetja Shqipe Selimi që është bashkëshortja e gjeneralit të UÇK-së, Rexhep Selimi, dhe njëkohësisht e kemi diskutuar edhe me kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufcën, këtë zhvillim negativ. Ju e dini që ne i kemi mundësitë e kufizuara për të pasur çfarëdo ndikimi, mirëpo natyrisht jemi duke menduar se si mund të ndihmojmë”, u shpreh Kurti, raporton EO.

Qendra e Paraburgimit e Gjykatës Speciale të Hagës i ka ndaluar të gjitha telefonatat dhe vizitat për ish-krerët e UÇK-së.