Kurti për Papa Françeskun: Shumë njerëzor, vështirë të ketë një tjetër të këtillë në këtë shekull

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e vlerëson Papa Françeskun si shumë njerëzor dhe social.

Pas takimit të sotëm me të, Kurti është shprehur se Papa bënte pyetje për Kosovën, historinë e kulturën, përcjell Fokusi.info.

Sipas Kurtit, “vështirë të ketë një tjetër të këtillë në këtë shekull”.

“Ai bënte pyetje për Kosovën, rininë e fëmijët, arsimin e punën, historinë e kulturën, vlerat dhe të ardhmen. Flet për paqen me dashuri, për popujt me dhembshuri. Interesohet në një mënyrë të angazhuar, dëgjon me një durim që të përvetëson. Shërbimi ndihmon shërbyesin jo më pak se të shërbyerin. E politika është shërbim. Veprimet nuk kanë autonomi nga etika. E politika është veprim. Idetë janë më të rëndësishme se vetja. E populli është edhe më i rëndësishëm se idetë. Nuk e di si kanë qenë Papat e tjerë para tij. Vështirë të ketë një tjetër të këtillë në këtë shekull”, ka shkruar ai në Facebook.

Kjo ishte vizita e parë zyrtare e kryeministrit Kurti në Vatikan dhe takimi i parë i tij me Papa Françeskun./Fokusi.info/