Kurti: Po e mbajmë premtimin, po i rrisim pagat në sektorin publik në vitin 2024

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se qeveria e udhëhequr prej tij do të mbajë premtimin për rritjen e pagave në sektorin publik në vitin 2024. Ai tha se koeficienti i pagave për sektorin publik nga viti 2024 do të jetë 110 euro.

“Një ekonomi më e fortë e me më shumë vende pune na mundëson rritje të buxhetit, ky buxhet do të shkojë në rritje të mbështetjes së sektorëve prioritar edhe në zbatim të programit qeverisës. Për vitin 2024, buxheti i Kosovës do të jetë 3.3 miliardë euro. Për sektorin publik kemi thënë qysh në fillim të këtij viti se koeficienti i pagave për vitin 2024 do të jetë 110 euro dhe këtë po e realizojmë, pra po i rrisim pagat në sektorin publik ashtu siç kemi thënë, të gjitha llogaritë e buxhetit te pagat janë duke marrë parasysh rritjen e koeficientit.”, tha Kurti.

Kurti gjithashtu ka bërë të ditur ndarjen e mjeteve buxhetore për sektorë të ndryshëm brenda qeverisë, ku ka filluar me Ministrinë e Punëve të Brendshme që do t’i ketë 216 milionë euro buxhet.

Ministria e Mbrojtjes në vitin 2024 do të ketë buxhetin prej 153 milionë euro sipas projekt-buxhetit të prezantuar dhe miratuar sot në qeveri.

Për arsimin, kryeministri Kurti bëri të ditur se janë planifikuar të ndahen 370 milionë euro për krijimin e kushteve më të mira për fëmijët, nxënësit e studentët.

Sa i përket sektorit të shëndetësisë, Kurti tha se buxheti i SHSKUK-së është shtuar për 25 përqind, ndërsa janë ndarë 340 milionë euro për shëndetësi, përfshirë grantin për komunat.

Për ministrinë e Drejtësisë, Kurti ka bërë të ditur se qeveria ka ndarë 31 përqind më shumë buxhet sesa në vitin paraprak, kjo me synimin që të realizohen reformat e nisura.

Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare në vitin 2030 dhe Kurti ka bërë të ditur se në vitin 2024 MKRS do t’i ketë 58 milionë euro në dispozicion për investime kapitale.

Buxheti i tërësishëm për investime kapitale në Kosovë do të jetë në shumën e 860 milionë euro.

Buxheti i komunave për vitin 2024 do të jetë 744 milionë euro, nga kjo shumë 635 milionë janë grant nga Qeveria dhe 107 milionë euro janë të hyra vetanake të komunave.