Kurti po tenton ta zvarris dialogun njëjtë si Vuçiqi

Anëtarja e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, deklaroi se kryeministri i vendit, Albin Kurti, po ndjek po të njëjtën rrugë sikurse presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pasi sipas saj, Kurti po tenton ta zvarrisë procesin e dialogut.
Më tej, Gaxherri tha se Kurti po tenton ta neglizhojë dialogun pasi u ka premtuar qytetarëve se nuk do të dialogojë me Serbinë.

“Me sjellje të tilla, kryeministri i vendit Albin Kurti, të bën të kuptosh se po ndjek të njëjtën rrugë sikurse Vuçiqi që është i interesuar ta neglizhojë e të krijojë “status quo’ për këtë proces, po të njëjtën gjë ka dëshirë ta bëjë Kurti për shkak se u ka thënë elektoratit unë nuk e bëj Zajednicën, unë nuk bëj dialog me Serbinë, e tash asnjë gjë nuk është ashtu. Kurti duhet të reflektojë, sepse është kryeministër i të gjithëve tani. Ai duhet ta kuptojë që nuk mundet të bëjë revolucion pasi ka ardhur në Qeveri”, deklaroi Gaxherri në emisionin “Respublika” në Tëvë1.

E pyetur se ka partnerë tjerë SHBA dhe BE që mund ta çojnë tutje çështjen e asociacionit, Gaxherri tha se realisht asociacionin duhet ta bëjë Qeveria Kurti.