Kurti publikon pamjet: Terroristët e Banjskës u trajnuan në njërën prej bazave kryesore të ushtrisë Serbe

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se sulmet terroriste nga serbët në fshatin Banjskë të Zveçanit u kryen nën planifikimin e plotë të shtetit të Serbisë.

Sipas tij, terroristët ishin trajnuar në Pasuljanske Livade, që është një nga bazat kryesore të ushtrisë serb.

“Terroristët që kryen sulmet janë trajnuar në Pasuljanske Livade, një nga bazat kryesore të ushtrisë serbe. 4 ditë para sulmeve. Stërvitje të tjera u zhvilluan në bazën e Kopaonikut. Sulmet gëzonin mbështetjen dhe planifikimin e plotë të shtetit serb”, ka deklaruar Kurti në rrjetin social “X”.

Ai ka thënë të dielën se në shtatë ditët e fundit Kosova është përballur me dhunë, kërcënime dhe glorifikim të akteve të tilla, derisa ka shtuar se e vlerëson mbështetjen e aleatëve “në luftën kolektive për demokraci”.

Ndryshe, edhe ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, gjatë konferencës për media të mbajtur të dielën, tha se kanë mbledhur prova që dëshmojnë se Serbia u përpoq ta aneksojë veriun e Kosovës dhe se sulmuesit u përgatitën në bazat ushtarake të ushtrisë serbe brenda Serbisë.

“Serbia u mungua vazhdimisht të thotë se nuk ka të bëjë asgjë më këtë sulm, por faktet që do të publikohen dëshmojnë që përgatitjet, trajnimet dhe ushtrimet e këtij grupi u kryen në bazën e trajnimeve ushtarake afër Jagodinës si dhe në Kopaunik. Këto pamje u siguruan nga dronët e grupit terrorist të cilit i kemi konfiskuar”, tha Sveçla.

Policia e Kosovës u sulmua nga një grup prej rreth 30 personave të armatosur dhe maskuar në fshatin Banjskë, në komunën e Zveçanit më 24 shtator, ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.