Kurti reagon pas arrestimit të Jakup Krasniqit dhe konfirmimit të aktakuzës për Rexhep Selimin

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka reaguar pas arrestimit të ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqit dhe konfirmimit të aktakuzës për ish-eprorin e UÇK-së, Rexhep Selimi.

Kurti ka thënë se padrejtësia speciale po vazhdon.

“Kryetarit të Grupit tonë Parlamentar, anëtarit tonë të Kryesisë, deputetit të katër legjislaturave të fundit të Kuvendit të Republikës, Rexhep Selimit, Dhomat e Specializuara ia konfirmuan aktakuzën sot pasdite. Më herët gjatë ditës, policia e EULEX-it ka bastisur shtëpinë e ish Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi”, ka thënë Kurti.

Kreu i LVV-së, më tej ka shkruar se me zhvillimet e fundit në Kosovë janë gëzuar udhëheqja e Serbisë.

“E dimë që sonte janë gëzuar udhëheqja e Serbisë, me presidentin e tyre në krye, dikur ministër i Milosheviqit, e që në botë shtiret si djalosh joproblematik. E dimë që është gëzuar edhe Kryetari i Kuvendit të Serbisë, dikur zëdhënës i partisë së Milosheviqit, meqë neve na e arrestuan zëdhënësin e UÇK-së i cili ishte edhe Kryetar i Kuvendit të Kosovës kur u shpall pavarësia”, thotë Kurti.

Më tej, ai ka thënë se në Beograd sonte festohet për shkak se Rexhep Selimin e kishin tmerr para e gjatë luftës.

“ E dimë që sonte festohet në Beograd, sepse e kishin tmerr Rexhën para e gjatë luftës teksa vëllain Asllanin ia mbanin peng në burgjet e Serbisë. E dimë. Por, nuk do t’u zgjasë fort kjo festë, sepse Republika e Kosovës nuk kthehet prapa e shqiptarët po bëhen komb i barabartë me të tjerët.

10-shi i luftës sonë çlirimtare, gjithnjë e ka mbrojtur UÇK-në sepse e ka kuptuar mirë dhe e ka dashur shumë atë, sepse e ka bërë publike dhe e ka afirmuar UÇK-në, sepse nuk është ndarë kurrë nga Jasharët e Prekazit, sepse asnjëherë pasluftës nuk ka votuar në dëm të luftës çlirimtare e të shtetit të Kosovës, të lirisë së popullit e të mirëqenies së qytetarëve”, vijon reagimi.

Kurti ka shkruar se Rexhep Selimi është krenar me gjithë çka ka bërë.

“Kjo gjykatë speciale do të na gjykojë Rexhën tash, gjeneralin e luftës dhe deputetin e paqes, por normalisht që historia dhe ardhmëria jonë do ta gjykojnë këtë gjykatë. Rexha është veteran sepse shumë moti është luftëtar. Rexha nuk është veteran sepse nuk pensionohet dot. Dikur luftonte në UÇK. Tash do të luftojë për UÇK-në. Rexha është krenar me gjithë çka bërë. Ne jemi krenarë me Rexhën”, përfundon reagimi.

Ndryshe, hetuesit e Gjykatës Speciale sot kanë arrestuar Jakup Krasniqi, ndërsa orë më vonë po nga kjo gjykatë është konfirmuar edhe aktakuza për deputetin Rexhep Selimin.