Kurti reagon për sulmet ndaj mediave: Grupet ekstremise nuk e durojnë as policinë e as gazetarët

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar edhe një herë pas sulmeve të grupeve të dhunshme në veri ndaj gazetarëve në Kosovë. Kurti ka thënë se grupet ekstremiste, të kontrolluara nga Beogradi, nuk e durojnë as policinë e as gazetarët.

“Grupe ekstremistësh të kontrolluara nga Beogradi nuk e durojnë dot as policinë e as gazetarët. Policia e Kosovës i shërben drejtësisë dhe ligjit, gazetaria e Kosovës i shërben demokracisë dhe transparencës. Sot në Komunën e Leposaviqit nga bandat kriminale janë sulmuar gazetarët që ishin të pranishëm gjatë përpjekjeve të disa individëve për të shkaktuar trazira e dhunë”, thuhet në reagimin e Kurtit.

“Kameramani Bardh Bekteshi dhe gazetarja Dorentina Thaqi, kanë pësuar lëndime në kokë dhe trup. Kameramanët tjerë, Albin Rrahmani dhe Ardijan Shala kanë pësuar lëndime në trup. Në këmbë janë lënduar gazetaret, Laura Kerolli e Qendresa Sinani, kurse në krah ka marrë lëndime gazetari Pleurat Salihu”, ka shkruar tutje ai.

Gazetarëve të lënduar, Kurti u ka uruar shërim të shpejtë.

“Urojmë shërim të shpejtë për kameramanët dhe gazetarët. Ftojmë institucionet dhe diplomatët ndërkombëtarë të mbajnë qëndrim, dhe të mbështesin institucionet e Kosovës që të sjellin para drejtësisë të gjithë sulmuesit e Policisë së Kosovës, KFOR-it e sidomos gazetarëve”, ka thënë ai.