Kurti: Rrugëtimi i popullit tonë ishte i gjatë dhe i mundimshëm, por me krenari e nder

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, thotë se Republika e Kosovës është e përcaktuar për anëtarësimin e saj në institucionet euroatlantike.

“Republika e Kosovës është e përcaktuar në anëtarësimin në institucione euroatlantike dhe çdo ditë punojmë për të dëshmuar përkushtimin tonë në këtë drejtim. Evropa është horizonti ynë i përkatësisë së të jetuarit, ndërsa NATO është kushti i paqes për të gjithë ne”, ka thënë Kurti.

Kurti në ceremoninë shtetërore për shënimin e 14 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, tha se rrugëtimi i popullit kosovarë ishte i gjatë dhe i mundimshëm, por, edhe me shumë krenari.

“Rrugëtimi i popullit tonë ishte i gjatë dhe i mundimshëm por edhe plotë krenari e me nder. Sot i kujtojmë heronjtë tanë që dhanë më të shtrenjtën jetën e tyre për lirinë. Sot bashkohemi edhe në fuqi edhe në festë. Në këtë ditë jemi mirënjohës, jemi të bashkuar dhe reflektojmë mbi idealet tona”, tha Kurti.