Kurti: Serbia duket se planifikoi vrasjen e Martyt për të na fajësuar, siç bëri në të kaluarën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për media ka folur për deklaratën e Dick Martyt, i cili ka thënë se ka 16 muaj që është nën mbrojtje të lartë policore, për shkak të kërcënimeve me jetë, të cilat, siç ka thënë, i vijnë nga “qarqe të caktuara të shërbimeve sekrete serbe”.

Kurti ka thënë se shteti i Kosovës e ka ditur gjithmonë se kush është Serbia.

Ai ka shtuar se shpreson që Quinti dhe BE-ja ta ngrehin këtë çështje me presidentin atje sepse kjo është një akuzë e jashtëzakonshme që i kalon çfarëdo përmasa individuale.

Ai ka thënë se shërbimi sekret në vitet e 80-90 ka vrarë shumë patriotë dhe mënyra se si ka vepruar BIA ndaj Ballkanit Perëndimor është i tmerrshëm.

“Kësaj radhe ai nuk është autor por protagonist. Mund të them se shteti i dhe populli i Kosovës e ka ditur gjithmonë kush është Serbia. Mirëpo unë shpresoj e uroj që QUNTI-i në Beograd, Bashkimi Evropian në përgjithësi ta ngrisin këtë çështje me presidentin atje dhe me të gjitha organet shtetërore, sepse kjo është një akuzë e jashtëzakonshme e cila i tejkalon çfarëdo përmasa individuale e përfshinë një shtet të tërë. Ju e dini shumë mirë se Shërbimi Sekret i Serbisë, gjatë vite 70-ta, e 80-ta jo vetëm të 90-ta ka vrarë shumë patriot e veprimtarë shqiptarë, andaj këtë mënyrë të punës së mbrapsht e kanë të ushtruar shumë ndër dekada. Ndër ata që u vranë janë Isuf e Bardhush Gërvalla, Kadri Zeka deri të Enver Hadri e shumë të tjerë. Mënyra se i ka operuar në Evropën Perëndimorë Shërbimi Sekret Serb edhe ndaj shqiptarëve edhe ndaj kroatëve është i njohur botërisht e duket që atë mënyrë e paskan planifikuar edhe ndaj Dicky Marty që të na fajësojnë neve. Në anën tjetër ne dijmë që edhe opinioni publik në serbi është i njoftuar për rastin Panda në Pejë, ku janë vrarë të rinjtë, që të fajësohet Ushtria Çlirimtarë e Kosovës (UÇK) dhe më pastaj në emër të kësaj edhe janë vrarë edhe civilët shqiptarë. Pra kjo është një metodë e njohur e Shërbimi Sekret Serbë në veçanti për shtetin dhe popullin e Kosovës që e ka përjetuar këtë në përvojën e hidhur, por besoj që është koha e fundit që QUINTI-i në Beograd dhe Bashkimi Evropian ta ngrisin këtë çështje me strukturat më të larta shtetërorë në Serbi”, ka thënë Kurti, raporton Demokracia.com.

Ai ka thënë se do të bashkëpunojnë me shtetin zviceran për të mësuar më shumë për këtë rast

“Në përmes ministrisë tonë të Brendshme dhe jo vetëm do të bashkëpunojmë me shtetin zviceran për të mësuar më shumë për këtë rast. Por, gjithashtu ne jemi të interesuar që kjo të zbardhet deri në fund, sepse nuk mjafton që vetëm të bëhet denoncimi dhe të shpjegohet se në 16 muajt e fundit senatori Dicky Marty, paska pasur një mbrojtje super speciale për shkak të një rrezikut të panjohur për neve deri më tani. Pra, nuk mjafton vetëm ky denoncim, duhet të sqarohen shkaqet, rrethanat dhe informacioni tjetër sepse qartazi nuk ka të bëjë vetëm me Diky Marty por ka të bëjë me Kosovën dhe shqiptarët”, ka thënë ai.