Kurti: Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari ranë për lirinë e të gjithë neve

Në hapësirat e “Pallatit të Rinisë” është mbajtur sot akademia përkujtimore në 25-vjetorin e epopesë së UÇK-së.

Në një fjalë rasti, kryeministri Albin Kurti ka thënë se Shaban, Hamëz dhe Adem Jashari kanë rënë për lirinë e Kosovës, njofton Klan Kosova.

Madje, ai ka treguar edhe se si të tre ata, në raste të ndara, kishin thënë se nuk e kanë ndërmend ta lëshojnë vendin e tyre dhe se do të luftojnë ta mbrojnë atë.

“Adem Jashari është gjallë në kujtimet e atyre që patën fatin ta kenë në familje, në përvojat e atyre që e shoqëruan teksa printe në luftime, në mësimet e atyre që studiojnë për të nga historia dhe në jetët e secilit prej atyre që vendosin të ndjekin rrugën e të njëjtave ideale sikurse ai”.

“Prandaj jemi mbledhur sot këtu në këtë akademi përkujtimore, të nderuar të pranishëm, për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pikërisht për ta kujtuar rezistencën dhe sakrificën e familjes Jashari të Prekazit, si dhe luftën e Adem Jasharit me fjalët e tij, sikurse edhe me fjalët e Hamzës që thoshte: ‘S’kemi ku me shku na, këtu do ta bajmë vdekjen. Këtu ku të parët tanë kanë jetuar në shekuj, këtu edhe ne do ta bajmë vdekjen. Kurrë nuk do ta lëshojmë këtë vend. Do t’i përgjigjemi me aq sa kemi mundësi’”.

“E këto fjalë të Hamzës dhe të Ademit, vinin nga edukimi patriotik dhe formimi i fortë prej babës së tyre Shabanit, që njësoj si djemtë e tij kishte thënë: ‘Edhe na këtu kemi lé, këtu kemi me vdekë, nuk kemi ku me shku. Kemi me luftu sa t’mujm’ edhe kur vjen vdekja, vdesim edhe udha e mbarë na koftë!’”.

“Këto fjali aq të ngjashme nga ata të tre, Shabani, Hamza dhe Ademi, që ishin thënë në tri raste të ndara dhe të pasinkronizuara nga njëra-tjetra, janë fjalë të dala natyrshëm nga fryma e cila e udhëhoqi familjen Jashari, në rrugën e tyre të rezistencës për çlirimin e Kosovës. Shabani, Hamza dhe Ademi bashkë dhe me të rënët e tjerë të familjes Jashari, kanë rënë për lirinë e të gjithë neve, si dhe për lirinë e atyre që mbetën pas nesh”.

“Pra, për bacin Rifat, për djemtë Muratin, Bashkimin, Lulzimin, Bekimin, dhe Fazliun si dhe për vajzat Besartën, Shqipen, Marigonën dhe Ilirianën. E ndër vitet e pasluftës, kësaj familje i janë shtuar edhe shumë anëtarë të tjerë, shumë anëtarë të rinj, që duke u përtrirë emrat e të rënëve të familjes nga Shabani, Hamza dhe Ademi e më tutje, ata kanë trupëzuar në jetë të reja njerëzore edhe frymën e atyre të rënëve për lirinë e Kosovës, duke na bërë me praninë e tyre sot ta ndjejmë këtë frymë edhe pas 25 viteve të rënies heroike të tyre. Paçi shumë lumturi e shëndet në jetë, ashtu siç patën shumë dashuri e guxim të parët tuaj deri në vdekje për atdheun tonë të përbashkët!”.