Kurti shëtitet nëpër SHBA, sindikalistët ia “dridhin themelet” në Prishtinë

Mijëra punëtorë të sektorit publik e mbushën sot sheshin kryesor të Prishtinës deri te ndërtesa e Qeverisë së Kosovës.

Ata i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së BSPK-së për protestë.

Punëtorët e nisën marshin e tyre nga sheshi Zahir Pajaziti. Kjo protestë nisi me thirrjen “Kryeministër, realizo kërkesat tona. Parandalo grevën e përgjithshme”, raporton Demokracia.com.

Thirrje u dëgjuan edhe për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, që të mos i mashtrojë me Ligjin për Paga, por ta bëjë atë ose t’i rrisë pagat.

E shefi i Qeverisë as sot nuk ishte në Qeveri.

Albin Kurti ka dy javë që shëtitet nëpër SHBA, duke takuar biznese, senatorë e kongresistë. Për dy javë ai siguroi vetëm një takim të rëndësishëm, me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, Jake Sullivan.

Qëndrimi i tij i gjatë në SHBA u kritikua edhe nga sindikalistët.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ka thënë se është turp që krerët e shtetit po shkojnë në SHBA e vende të tjera dhe nuk po merren me punëtorët e Kosovës.

Jasharaj paralajmëroi veprime të radhës sindikaliste, nëse kërkesat e sindikatave nuk përmbushen.

“Qeveria sot po e sheh që nuk po flet Atdhe Hykolli, as Rrahman Jashari, as Sali Gashi, por po flet punëtoria e Kosovës. Qeveri, këta janë njerëzit tu, i kanë sytë drejt teje dhe është turp të qëndroni nën hije, të qëndroni në Amerikë e gjetkë e të mos dilni këtu e ta thoni të vërtetën para këtyre njerëzve. Qeveri, ne po i lutemi Zotit që të këndelleni dhe t’i realizoni kërkesat. Në të kundërtën, pas kësaj proteste, do të ketë veprime edhe më të rënda që ne nuk i duam, por ju si duket po i doni. Heshtja e Qeverisë, ikja nga dialogu, tregon se ne kemi të drejtë. Ne e duam Ligjin e Pagave, por jo ligj që na punon dikush, por ligj që e punojmë edhe ne. Qeveria që po thotë se është e Kosovës, le të tregohet se është e tillë. Këta janë njerëz që edhe në vitet 90 i kanë thënë pushtuesit jo, i kanë thënë Kosovës po. Këta njerëz tani që ishin të Kosovës po dalin me pensione të pleqërisë e shteti po tallet me ta. Ose do të bisedojmë, ose do të ftojmë në greva të përgjithshme”, tha Jasharaj.