Kusari Lila-Tahirit: Mos dezinformo, mbledhja e Kryesisë ka dështuar për shkak të PDK-së dhe LDK-së

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje Mimoza Kusari-Lila, i ka reaguar Shefit të Grupit Parlamentar të PDK-së Abelard Tahiri.

Ai deklaroi se mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, dështoi pasi që nuk ishin të pranishëm përfaqësues të LVV-së.

‘’Demantim: Urime edhe ty Abelard Tahiri dita e çlirimit të Kosovës! Çka mund të bësh sot si duhet është të pakten të mos dezinformosh duke mbuluar dështimet e subjektit që përfaqëson në Kuvend!Për informim të drejtë të opinionit publik, sot mbledhja e Kryesisë së Kuvendit ka dështuar për shkak të mungesës së dy nënkryetarëve të Kuvendit nga opozita, Enver Hoxhaj nga PDK dhe Kujtim Shala nga LDK. Nuk është e vërtetë deklarata e shefit të GP të PDK-së që për shkak të mungesës së përfaqësuesit të LVV nuk ka pasur kuorum në mbledhjen e Kryesisë’’, ka shkruar Kusari-Lila.

Sipas Kusari-Lilës, kjo tendencë e ikjes nga përgjegjësia e obligimeve parlamentare nuk i bën nder opozitës dhe as nuk i shton vlerë demokracisë parlamentare.

‘’Për të satën herë me radhë, shefat e grupeve parlamentare NUK E BËJNË kuorumin e Kryesisë, atë e përbëjnë Kryetari dhe Nënkryetarët e Kuvendit. Sot prezent ishin, Kryetari Glauk Konjufca dhe Nënkryetari Bahrim Shabani nga pozita, ndërsa dy Nënkryetarët nga opozita pa ndonjë paralajmërim, nuk u paraqiten në takim.Kjo tendencë e ikjes nga përgjegjësia e obligimeve parlamentare nuk i bën nder opozitës dhe as nuk i shton vlerë demokracisë parlamentare. Do të ishte mirë z. Tahiri të tregonte pse Nënkryetari nga radhët e PDK-së nuk ishte prezent sot dhe jo të mundohej kotësisht të bënte kauzë opozitare të paqenë’’, ka shtuar më tutje Kusari-Lila.

Por përkundër kësaj Kryesia e Kuvendit sot vendosi që seanca e radhës të mbahet të enjten.