Haradinaj-Kurtit: E ke humbur rrugën, tërhiqu

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj i është drejtuar me një letë kryeministrit Albin Kurti.

Përmes kësaj letre Haradinaj ka thënë se Kurti e ka humbur rrugën, derisa i ka kërkuar që të tërhiqet.

Sipas tij, parametrat e qeverisjes Kurti sot janë, jo vetëm të dëmshëm por edhe të rrezikshëm për vendin.

Tutje Haradinaj ka thënë se Qeveria Kurti e ka ‘qitë’ në gjunjë ekonominë e vendit dhe bizneset po i çon drejt falimentit.

Postimi i plotë:

Po ju drejtohem juve Albin Kurti, kryeministrit të vendit tim,

Nuk është marre me thanë, më falni paskam hyrë në zanat të huaj. Nuk je as i pari as i fundit, që e humb rrugën diku. Është nder e njerëzi me ditë kur me u tërheq.

Parametrat e qeverisjes suaj sot janë, jo vetëm të dëmshëm por edhe të rrezikshëm për vendin:

Në rrafshin politik, e keni ndarë shoqërinë si me thikë;

Në rafshin fetar po nxitni tema që po e rrezikojnë jo vetëm tolerancën fetare që ndër shqiptarë ka qenë vlerë sublime, por edhe identitetin kulturor e kombëtar;

Qeverisja juaj e ka qitë në gjunj ekonominë e vendit;

Bizneset i keni mbështetur për muri e po i çoni drejt falimentimit;

Qasja juaj ndaj komunave është armiqësore;

Shtresen e mesme të shoqërisë, po e shndërroni në kategori sociale;

Mijëra mësues, mjekë, policë, shërbyes civilë, punëtorë të sektorit publik e privat, por edhe të tjerë, sot kanë problem me mbijetu me pagat që ju i keni lënë ne vendnumëro, duke e bllokuar ligjin e pagave, që kish marrë udhë qysh në qeverisjen time, e kur inflacioni ishte zero;

Në vendin ku qeverisni ju, Ministria e Ekonomisë ka shpenzuar zero euro për kapacitetet gjeneruese energjetike, e në verë paralajmëroni reduktime katstrofike të rrymës, deri në 6 orë terr. Me këtë politikë, Kosovën doni me e ngri në dimër.

Po flitet se doni me e ba llugë edhe në procesin e dialogut me Serbinë. Në vend që të insistohet vetëm në marrëveshjen finale për njohje të ndërsjellë, ju sikur doni me nënshkru një dokument për mos-sulmim të ndërsjellë. Ky dokument është nënshkruar në qershor të vitit 1999, dhe Kosova nuk kthehet atje më.

Prandaj po ju drejtohem që ta rishikoni pozicionin tuaj. Është fisnike me ditë kur me u tërheq. Me qeverisjen tuaj, jeni duke e rrezikuar seriozisht këtë vend! Ka diçka më të vlefshme se sa karriga e kryeministrit.