Kurti shfrytëzon seancën solemne për të lavdëruar Qeverinë, opozita e lëshon sallën

Në Kuvendin e Kosovës është duke u mbajtur seanca solemne, për nderë të 14 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Teksa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim, opozita e ka lëshuar seancën.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), kanë dalur nga salla. Kjo pasi Kurti ka nisur të lavdërojë punën e Qeverisë së Kosovës.

Kurti ka shfrytëzuar seancën për pavarësinë që të tregojë pak edhe për të arriturat që konsideroi se pati Qeveria.

“Falë luftës ndaj korrupsionit e krimit, Kosova është renditur e para dhe u ngrit për 17 vende në luftimin e korrupsionit. Në rrafshin ndërkombëtar kemi thelluar bashkëpunimin me miqtë tanë duke forcuar sigurinë për qytetarët. Vitin që shkoi, Kosova ishte nikoqire me ushtarë. kemi realizuar numër rekord vizitash jashtë e brenda vendit dhe kemi ridenfinuar dialogun në Bruksel si dy shtete të barabarta dhe të përqendruar në njohje. Kemi ndryshuar praktikën e dëmshme që ishte në shkelje të rendit dhe Kushtetutës. Politika jonë është ajo e fqinjësisë së mirë”.

“Në vitin e 14-të po hyjmë me shifra të larta ekonomike, të luftimit të krimit dhe korrupsionit dhe qeverisjes demokratike. Këtë vit do miratojmë strategjinë e re të energjisë 2022-2030, ku së bashku do zgjidhim problemin e energjisë. Kemi ndarë 40 milionë për prodhuesit vendorë”, ka thënë Kurti, teksa deputetët e opozitës lëshuan sallën.