Kurti shpërfill kërkesën amerikane për marrëveshjen e Washingtonit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar marrëveshjen e arritur mes Kosovës dhe Serbisë, me 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, para Parlamentit Europian.

Kurti, ka hedhur kritika të ashpra rreth kësaj marrëveshje, duke thënë se ajo as nuk është menduar të implementohet.

“Nuk kam parë asnjëherë në jetën time një faqe e gjysmë zotime. Sikur të ndodhte që gjatë shkrimit të tyre dikush të thotë mos keni harruar edhe atë ose atë tjetrën. Nuk besoj që është menduar të implementohet, duhet ta shohim sidoqoftë si diçka pozitive”, tha Kurti.

Ndërsa dje, përmes një shkrimi, Departamenti Amerikan i Shetit i SHBA, ka thënë se ata janë të gatshëm të mbështesin punën drejt një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Kosovës dhe Serbisë, e përqendruar në njohjen reciproke, që hedh bazat e bashkëpunimit dhe prosperitetit të qëndrueshëm.

DASH, ka theksuar në këtë komunikatë se ata do të punojnë me Serbinë e Kosovën, për të zbatuar angazhimet e tyre në Washington, duke ritheksuar kështu marrëveshjen e 4 shtatorit.

“Ne mbështesim Dialogun e lehtësuar nga BE dhe inkurajojmë palët që të angazhohen përsëri në këtë proces me një ndjenjë urgjence për të adresuar çështje teknike dhe politike. Ne do të punojmë me Serbinë dhe Kosovën për të zbatuar angazhimet e tyre në Uashington në mbështetje të qëllimit të normalizimit të plotë”, thuhet ndër të tjera nga DASH.

Po ashtu, sot Kurti në PE përmendi edhe dialogun me Serbinë duke mos kundërshtuar mundësinë për rifillim, por tha se Serbia duhet të vetë-normalizohet pastaj të kërkojë normalizim të marrëdhënieve.

“Jetojmë në një epokë të “Non Papers”, kemi shumë dokumente pa autorë, mirëpo kemi edhe shumë autorë pa dokumente. Duhet të prodhojmë më shumë ëndrra. Kemi ndalur ato ëndrrat apo planet dhe ka një lloj vakuumi që po mbushet me këto “non-papers”. Nuk besoj që mund të ketë zgjidhje ku liderët pretendojnë të jenë gjeneralë ushtarëk në luftën e parë botërore me ato lapsat në harta ku preken kufijtë, e ridizajnohet Ballkani”, tha Kurti.

Ai tha se Serbia ka qasje me standarde të dyfishta në procesin e dialogut, teksa sipas tij vet ka qëllime jo të mira.

“Beogradi dëshiron të na akuzojë ne për Shqipërinë e Madhe duke u përpjekur që të krijojë Serbinë e Madhe. Dialogu s’ka alternativë, duhet të ulemi dhe të diskutojmë e të zgjidhim çështjet e hapura”, tha ai.