Kurti: Stërvitjet e përbashkëta me vendet aleate, ngritje e aftësisë dhe gatishmërisë për ushtarët e FSK-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka falenderuar vendet aleate për stërvitjet ushtarake në kuadër të “Defender Europe 21”.

Ai ka thënë se këto stërvitje të ushtarëve të FSK-së, janë ngritje e aftësisë dhe gatishmërisë për ta.

Më poshtë edhe postimi i plotë:

Nga Baltiku në Detin e Zi dhe deri në Mesdhe, nën drejtimin e ushtrisë amerikane, po zhvillohet “Defender Europe 21”, stërvitja më e madhe ushtarake pas Luftës së Dytë Botërore. Mes 28 mijë ushtarëve nga 27 vende të përfshirë në këtë stërvitje, janë edhe njësite të veçanta të Forcës së Sigurisë së Kosovës, me mbi 300 ushtarë. Kjo e ka bërë Kosovën për herë të parë vend pritës të një ushtrimi kaq të madh, që drejtohet nga Ushtria e ShBA-së për Evropë dhe Afrikë. Ushtarët e FSK-së po tregojnë përkushtim dhe profesionalizëm në aktivitetet stërvitëse të “Defender Europe 21”, në Kosovë, Shqipëri dhe Kroaci. Pritja e trupave amerikane në vendin tonë dhe stërvitjet e përbashkëta me trupat e vendeve aleate, po ngritin aftësinë dhe gatishmërinë e ushtarëve të FSK-së si dhe ndërveprueshmërinë e tyre me partnerët tanë strategjikë.