Kurti: Sulmet ndaj policisë së Kosovës po vijnë nga Serbia

Kryeministri Albin Kurti ka reaguar për sulmit ndaj Policisë së Kosovës në veri.

Kurti në një postim në rrjetin social “Twitter”, ka shkruar se sulmet ndaj policisë për tre ditë rresht vijnë nga ana e territorit serb.

“Për tre ditë rresht (13 -15 Prill), oficerët e policisë së Kosovës janë sulmuar në pikëkalimin kufitar me Serbinë. Dje dhe sot në mëngjes breshëri plumbash dhe një granatë dorë është hedhur në drejtim të policisë. Burimet tona kanë identifikuar se sulmet e djeshme vijnë nga Serbia”, ka shkruar ai.

Ai i ka bërë thirrje Serbisë që të dënojë sulmet terroriste ndaj Policisë së Kosovës.

“Kjo as nuk do të na pengojë dhe as nuk do të na ndalojë nga lufta jonë për të mbrojtur shtetin ligjor kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në të gjithë territorin e Republikës sonë. I bëj thirrje Serbisë që të dënojë dhe distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policisë sonë, disa prej të cilëve policë të sulmuar ishin serbë të Kosovës”, ka thënë Kurti.